Bajram Hasani është shkarkuar nga detyra e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me kërkesë të partisë së tij, Nisma për Kosovën.
Kështu ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.
Ajo tha se ka ardhur një kërkesë nga partia e tij, Nisma Socialdemokrate, që të lirohet nga detyra ministri Bajram Hasani. “Dhe kryeministri Ramush Haradinaj e ka miratuar”.
Kryeministri Haradinaj e falënderon Hasanin për punën e bërë deri më tani në krye të MTI-së, ka shtuar Gashi.
Hasani ishte emëruar në krye të MTI-së kësaj ministrie para më pak se një viti (9 shtator 2017).
Me marrëveshjen për bashkëqeverisje (PDK-AAK-Nisma-AKR), partisë së Fatmir Limajt i takojnë tri ministri.
Kandidatë për ta zëvendësuar Hasanin në krye të MTI-së po përmenden ish-këshilltari dhe njeriu më i afërt i Limajt, Endrit Shala, ose Valdete Bajrami.