Shkarkimi i Metës, mblidhet sot Komisioni Hetimor Parlamentar

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta do të zhvillojë sot mbledhjen e parë.

Sipas agjendës së publikuar në faqen e parlamentit bëhet e ditur se komisioni do të mblidhet në orën 13:00 ku në rend të ditës është konstituimi i Komisionit Hetimor të Kuvendit, deklarimi i qëllimit të ngritjes së Komisionit, zgjedhja e sekretarit të Komisionit Hetimor si dhe caktimi i relatorëve për hartimin e projekt rregullores së Komisionit dhe të planit paraprak të hetimit.

Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës të së hënës, miratoi me 101 vota pro dhe 6 kundër ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit”, është shprehur Manja.

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme