Masë radikale konsiderohet prej një pjese të shoqërisë civile vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e prorektores Teuta Pustina-Krasniqi, pas deklaratës së saj, të cilësuar si seksiste. Një peticion i nisur përmes rrjetit social “Facebook” kërkon rikthimin e prorektores në pozitën të cilën e ka mbajtur deri të enjten, shkruan sot Koha Ditore.
Sefer Zogaj është student i UP-së, i cili ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve. Për me pak se 24 orë ka mbledhur 380 nënshkrime.
“Ne konsiderojmë se prorektorja nuk ka ofenduar gjininë femërore. Ajo ka të drejtë të flasë atë që e mendon, këtë ia garanton liria e shprehjes, është vlerë demokratike e shoqërive të emancipuara”, ka arsyetuar peticionin Seferaj.
Pjesëtarë të shoqërisë civile, deklaratën e saj e cilësojnë si të pamatur, por të pamjaftueshme për ta shkarkuar.
Ndonëse prorektorja Pustina-Krasniqi ka dhënë prononcim në media në lidhje me ngacmimet seksuale të profesorëve, UP-ja nuk ka dhënë informatë nëse ka “profesorë ngacmues”, që janë shkarkuar për këtë arsye.