Gjyqtari i Lartë Artan Zeneli nuk e kaloi vetingun. Ai është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Gjyqtari nuk ishte i pranishëm gjatë dhënies së vendimit, madje as avokati i tij.
Nga koha kur iu rikthye sistemit të drejtësisë, deri sa doli para vetingut, Artan Zeneli, gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri, ka shtuar gati dyfish pasurinë e tij. Në 10 vite ai ka siguruar pothuajse 50 milionë lekë të reja pasuri, të cilat në deklarimet e tij shpjegon se i ka siguruar nga paga e bashkëshortes, pjesën më të madhe, të ardhurat si gjyqtar dhe të ardhura nga qiratë, raporton Tch.
Zeneli doli një ditë më parë para vetingut, gjatë të cilit doli në pah një problem me deklarimet, për mënyrën se si anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë një vilë disa katëshe në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë.
Në kontratën e blerjes së kësaj vile, evidentohet se gjyqtari Artan Zeneli i ka paguar shumën prej 150 mijë eurosh, jo kompanisë që ka ndërtuar kompleksin, por ortakut të saj. Sipas gjyqtarit, pagesa është kryer në mirëbesim, pasi ky shtetas është miku i tij.
Sipas gjyqtarit, për blerjen e vilës që kushton 196 mijë euro, ai kishte paguar si këst të parë 46 mijë euro dhe deri sa i ishte aprovuar kredia, i ka marrë borxh mikut të tij 150 mijë euro.
Bëhet fjalë për futjen e gjyqtarit Artan Zeneli në listën e zezë të Ambasadës Amerikane për personat që ju hiqet e drejta që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 26 janar të vitit 2017 atij iu revokua viza për të udhëtuar në SHBA. Para vetingut, Zeneli shpjegoi se bëhej fjalë për vizën private dhe jo atë zyrtare.
Por më katër qershor, ky i fundit është paraqitur në ambasadën amerikane, ku ka mësuar se edhe viza zyrtare i është revokuar nga Shtetet e Bashkuara.