Shkelje në ShSKUK: Personeli nuk bën kontrolle sistematike shëndetësore

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me vite, nuk janë bërë kontrolle sistematike të stafit, edhe pse ato parashihen me ligj.

Inspektorati i Punës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, ka konstatuar në një vendim të 11 janarit – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – se mungesa e tyre përbën shkelje ligjore.

Për rrjedhojë, ky inspektorat e ka gjobitur me 1.000 euro Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, nën përgjegjësinë e të cilit funksionon QKUK-ja.

Duke vepruar në bazë të një kërkese të Odës së Mjekëve të Kosovës, Inspektorati i ka kërkuar SHSKUK-së që t’i eliminojë parregullsitë dhe t’i dërgojë të gjithë të punësuarit në kontroll mjekësor.

Sipas mjekëve të mjekësisë së punës, kontrolli sistematik mjekësor përfshin: tensionin e gjakut, frekuencën e frymëmarrjes, pulsin, nivelin e oksigjenit në gjak, peshën, gjatësinë, ekzaminimet fizike, analizat laboratorike, raportet e shëndetit mendor psikiatrik dhe disa analiza të tjera.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës konfirmojnë se në QKUK nuk janë bërë kontrolle sistematike të punonjësve.

“Së paku qe pesë vjet nuk ka pasur kontrolle sistematike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i kësaj ode, Pleurat Sejdiu.

Dhe mungesa e tyre, siç duket, mund të bartë pasoja.

Sipas disa mjekëve të QKUK-së, me të cilët ka biseduar REL, janë së paku dhjetë punonjës në këtë institucion – përfshirë mjekë dhe staf të mesëm – që kanë gjendje të rënduar psikike dhe ushtrojnë detyrat e tyre.

Ata thonë se në mesin e tyre ka të tillë që hyjnë edhe në salla të operacioneve dhe kryejnë intervenime kirurgjikale.

Mjekë nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK konfirmojnë se ekzistojnë dokumente brenda këtij institucioni, të cilat vërtetojnë se nga vizitat mjekësore të disa punonjësve, ata kanë gjendje të rënduar psikike, përfshirë deluzione, apo besime të rreme.

Me gjithë interesimin e REL-it, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, nuk e komentoi këtë çështje. Ngjashëm, as Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Por, sipas një raporti që siguroi Radio Evropa e Lirë nga QKUK-ja, një mjek me gjendje të rënduar psikike – identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë – brenda dy vjetësh, ka kryer në klinikën ku punon 15 operacione dhe mbi 300 vizita ambulatore, ndërsa ka bërë rreth 20 pranime.

Udhëheqës të Klinikës së Kirurgjisë thonë për REL-in se janë në dijeni për raste të tilla, por nuk duan të flasin hapur, pasi, sipas tyre, “nuk ka ndonjë dokument” që dëshmon se ato[raste] “kanë ndonjë diagnozë të rëndë”.

Sipas disa mjekëve që folën për REL-in, në klinika të caktuara të QKUK-së ka edhe infermierë që kanë gjendje të rënduar psikike e që ofrojnë shërbime për pacientët.

Së paku nga një rast i tillë, sipas tyre, ekziston në Klinikën e Radiologjisë, Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, Klinikën e Psikiatrisë, Klinikën e Anesteziologjisë, por edhe në të tjera.

Oda e Mjekëve të Kosovës konfirmon për REL-in se në QKUK ka raste kur mjekët kanë diagnoza të sëmundjeve psikike dhe vazhdojnë të jenë në punë.

“Ne kemi të dhëna për të paktën dy raste. Ne jemi në dijeni se, duke marrë parasysh presionin që kanë mjekët, mund të ndodhin probleme të tilla, por ato raste nuk duhet stigmatizuar. Ne, po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet përkatëse informacione që na kanë konfirmuar”, tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Kjo situatë, sipas tij, është pasojë e mosrespektimit të rregulloreve dhe të Ligjit të punës. Sejdiu përmend në mënyrë specifike mungesën e kontrolleve sistematike.

“Punëdhënësit dhe jo vetëm duhet të merren me këto raste dhe të gjejnë zgjidhje, sepse mendoj se janë çështje që menaxhohen dhe janë në të mirën e punëtorit shëndetësor dhe të atyre që marrin shërbime nga mjekët. Është koha që të fillohet me kontrolle sistematike në shëndetësi, sikurse kudo në botë”, thotë Sejdiu.

Në Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë thuhet se “punëdhënësi është i detyruar që, para se ta caktojë të punësuarin në vend të punës me kushte të veçanta, ta dërgojë atë për kontroll mjekësor, që të konstatojë aftësitë e tij shëndetësore, fizike dhe psikike, për kryerjen e punëve në atë vend të punës”.

Sipas ligjit, punëdhënësi është i detyruar që t’iu sigurojë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucione shëndetësore – të licencuara për shërbime nga mjekësia e punës – së paku një herë në tre vjet.

Po sipas ligjit, në institute të posaçme, ku të punësuarit përdorin apo i ekspozohen rrezatimit jonizues, kontrollet duhet të bëhen çdo gjashtë muaj.

Të ngjashme