Kreu i “Devolli Corporation”, Shkëlqim Devolli, ka qenë një ndër të ftuarit e Këshillit Amerikan për Gjermaninë në darkën e njëzetenëntë vjetore të ndarjes së çmimeve “John J. McCloy”, të premten mbrëma në Nju Jork.
Nikoqirë nderi në darkën gala kanë qenë dy ish-sekretarët amerikanë të shtetit, Henry Kissinger dhe James Baker, kurse çmimin vjetor të organizatës së miqësisë gjermano-amerikane për vitin 2022 e fituan Ola Källenius, kryeshef i Bordit të Mercedes-Benz Group AG, dhe Christiana Riley, kryeshefe e Deutsche Bank USA Corp.
Në mesin e të ftuarve në “Mandarin Oriental” hotel ku është mbajtur ceremonia kanë qenë liderë të korporatave më të mëdha botërore, si Siemens, BMW, Mercedes, Warner Bros, Google, Basf, Meta e të tjerë, si dhe përfaqësues të qeverisë amerikane dhe gjermane.
Shkëlqim Devolli ka zhvilluar biseda me disa prej tyre, kurse ka takuar edhe Tobias Linder, ministër gjerman i Shtetit dhe deputet i Bundestagut.
Afaristi kosovar ka folur për zhvillimin e korporatës Devolli Corporation, duke treguar edhe për mundësitë ekonomike që i ofron Kosova.
Këshilli Amerikan për Gjermaninë (ACG) është organizatë jofitimprurëse e pavarur, jopartiake, e themeluar në vitin 1952 për të forcuar marrëdhëniet gjermano-amerikane.