Ndarja eventuale si pasojë e përplasjeve të brendshme do të mundë ta rrëzonte nga “froni” lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila në zgjedhjet e fundit ka fituar më së shumti ulëse në Parlament.
Vlerësohet se PDK-ja dhe LDK-ja do të jenë fitueset më të mëdha nga çarja e partisë së Visar Ymerit
Brenda një viti (2017) lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur ta përjetojë përforcimin më të madh që nga themelimi, por në të njëjtën kohë ka marrë edhe goditjen më të fuqishme qysh prejse ka dalë në skenën politike.
Gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale, që u mbajtën këtë vit, ky subjekt arriti të sigurojë më së shumti ulëse në Parlament, duke u bërë partia më e votuar në vend (me mbi 200 mijë vota).
Edhe në zgjedhjet lokale po ashtu LVV-ja fitoi tri komuna gjithsej (Prishtinën, Prizrenin dhe Dardanën), duke e rritur numrin nga një sa e kishte, në tri sosh, shkruan tutje “Zëri”.Mirëpo ditëve të fundit kjo parti shënoi përplasjen më të thellë deri më tash. Kjo pas publikimit të disa bisedave, ku deputetja e LVV-së, Aida Dërguti, kishte ofenduar ish-liderin e kësaj partie Albin Kurtin.
Pas kësaj, deputetë e përfaqësues të tjerë të LVV-së u pozicionuan në dy taborë, disa në mbështetje të Kurtit e disa të tjerë në krah të Dërgutit, përkatësish të ish-sekretarit të partisë, Dardan Molliqaj.