Shkelzen Maliqi, është zgjedhur drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Pas mbajtjes së intervistave me tetë kandidatët që ishin në garë për këtë pozitë, me 93.83 pikë, KGJK-ja e ka zgjedhur Maliqin në krye të Sekretariatit.
Maliqi këtë pozitë do ta ushtrojë për pesë vitet e ardhshme, me mundësi vazhdimi.
Deri më tani, Sekretariati i KGJK-së është udhëhequr nga Vahid Limani, i cili këtë post e ka mbajtur si ushtrues detyre. Kjo pasi që në fillim të këtij viti, nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje, Albert Avdiu.
Ndryshe, KGJK-ja më 27 maj të këtij viti ka shpallur konkursin për pozitën e drejtorit të Sekretariatit.
Pjesë e garës për këtë pozitë kanë qenë tetë kandidatë, Eset Rama, Feriz Berisha, Lekë Prenaj, Lulzim Beqiri, Sadik Kryeziu, Shkelzen Maliqi, Shqipe Rexhepi dhe Zef Prendrecaj.