Shkëlzen Maliqi, pasi ia ndaluan hyrjen në Serbi: Po merren masa hakmarrëse ndaj Kosovës

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 11:11 | Nga

Një ekip prej katër vetash që po planifikonte promovimin e librit “20 vjet Përtej/Preko/Beyond”, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Serbi, nuk do të marrë pjesë, pavarësisht se në libër punuan përgjatë një viti të plotë. Puna e tyre nuk do të prezantohet atje pasi kritikut të artit, Shkëlzen Maliqi, i është ndaluar hyrja në Serbi, sot në orën pesë të mëngjesit, në pikën e kalimit kufitar në Merdare. Maliqi flet për Gazetën Express dhe thotë se Serbia po merr masa hakmarrëse për zyrtarët e Kosovës.

Ekipi ka refuzuar të hyjë në territorin serb në shenjë revolte për ndalimin e Maliqit në kufi.

“Nuk më lan me kalu kufinin… sot në 5 të mëngjesit. Isha me Jeton Nezirajn, Besa Lucin dhe Majlinda Hoxhën, edhe ata u kthyen pasi që mua ma ndaluan hyrjen”, tha Maliqi për Gazetën Express.

Ai sqaroi se në Serbi kishin planifikuar një aktivitet që do të mbahej sonte në Qendrën për Dekontaminim Kulturor dhe promovim të librit, me rastin e 20-vjetorit të ekspozitës së artit të Kosovës “Përtej/Beyond”.

Maliqi shprehet se Serbia po merr masa “hakmarrëse” për zyrtarët kosovarë.

“Edhe pse unë nuk kam funksione”, thotë ai.

Sidoqoftë Maliqit për herë të parë i është ndaluar hyrja në shtetin serb. Ai thotë se para disa muajve ka udhëtuar në Beograd dhe nuk i është paraqitur asnjë problem. Ndërsa, sonte nuk do të jetë pjesëmarrës në ekspozitën e organizuar nga vetë ai.

“Unë e pata organizuar atë ekspozitë ku kanë marrë pjesë Sokol Beqiri, Mehmet Behluli, Maksut Vezgishi dhe Ilir Bajri, ky i fundit me një instalim të veprës muzikore”, shpjegon më tej Maliqi.

Kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci, ka komentuar ngjarjen që ndodhi sot në Merdare.

“Maliqi po udhëtonte me dramaturgun Jeton Neziraj, fotografen e K2.0, Majlinda Hoxha, dhe me mua. Pas incidentit, normalisht që edhe ne vendosëm të kthehemi në Kosovë. Po të ndodhte ndryshe, veprime të tilla nga kufiri i Serbisë jo vetëm që do normalizohen dhe do bëhen praktikë e zakonshme, por do të perceptohen si të pranueshme dhe të lejueshme”, ka shpjeguar Besa Luci, njëra prej bashkëpunëtoreve të këtij projekti.

“Ngjarja dhe diskutimi i paraparë për sot në Beograd, nuk do mund të zhvillohet, pasi që panelisti Shkëlzen Maliqi nuk u lejua të hyjë në Serbi në kufirin e Merdares. Asnjë shpjegim nuk u dha”, thotë ajo.

Përmes përmbajtjes, libri fton të dy shoqëritë që të rimendojnë, të sfidojnë dhe të parashohin se çfarë domethënie ka “Përtej”, prej perspektivës së të sotmes e të së ardhmes.

Kujtojmë se ditë më parë një grup i artistëve nga Kosova janë ndaluar për rreth tri orë nga policia kufitare e Serbisë, në pikën në Merdare dhe më pas janë liruar. Ata ishin nisur të merrnin pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili mbahet në Beograd, nga data 30 maj deri më 2 qershor.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme