Ideja e shkrimtarit Rexhep Qosja për t’i dhënë fund konfliktit mes Kosovës e Serbisë duke shkëmbyer territore, nuk mund të realizohet lehtë në rrethanat e tanishme. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në Kosovë, sipas të cilëve, një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë, shkruan sot, gazeta Zëri.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se një ide e tillë është krejtësisht e gabuar. Sipas tyre, Kosova tashmë i ka kufijtë e vet dhe një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë. Pavarësisht tyre, vite më parë përfaqësues të Serbisë e të Rusisë patën dhënë idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë si mundësinë më të mirë për të dyja palët, duke ia dhënë Serbisë veriun, ndërsa Kosovës Luginën.
Qosja: Çështja zgjidhet vetëm me shkëmbim territoresh
Shkrimtari Rexhep Qosja tha para dy ditësh se konflikti mes Kosovës e Serbisë mund të zgjidhet vetëm me shkëmbim territoresh.
“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë”, ka thënë Qosja për “Klan”.
E idenë për shkëmbim territoresh e pati mbështetur edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë se ndarja e Kosovës do të ishte njëra nga zgjidhjet më të mira si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët. Kjo deklaratë e Daçiqit pati ardhur menjëherë pas intervistës që pati dhënë për “Zërin” ish-udhëheqësi i Zyrës ruse në Prishtinë, Andrey Y. Shugurov.