Gjatë vitit 2017 në Kosovë janë importuar 2 mijë e 174 vetura të reja. Të dhënat e Doganës thonë se vlera e këtyre veturave të importuara shkon në 34.5 milionë euro.
“Shkoda” është marka e vetura më e importuara gjatë vitit 2017. Vetëm gjatë vitit 2017, në Kosovë kanë hyrë 354 vetura “Shkoda”, me një vlerë prej rreth 4.5 milionë euro.
Por, veturat e markës “Volkswagen” janë ato që i kanë sjellë më së shumti para buxhetit të Kosovës në vitin 2017. Gjithsej janë importuar 332 vetura të markës VW me vlerë prej rreth 6.9 milionë euro.
Vetura e tretë më e importuar gjatë vitit 2017 është ajo e markës “Dacia”. Gjatë këtij viti në Kosovë janë importuar 222 vetura të kësaj marke, vlera e të cilave shkon rreth 1.9 milion euro, shkruan Kallxo.com.
Ndër markat më të importuara gjatë vitit 2017 radhiten “Renault”, “Peugeot”, “Citroën”, “Suzuki” dhe “Ford”.
Këtë vit janë importuar vetëm 2 vetura të markës “Jaguar”, 1 veturë e markës “Ferrari” dhe 14 të tjera të markës “Porsche”.
Pak vetura të importuara në vitin 2017 ka pasur edhe nga “Volvo”, “Yamaha”, “Mitsubishi”, “Mazda”, “Iveco”, “Daewoo”, “Chrysler” dhe “Alfa Romeo”.