Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i autoritetit qeveritar për Strategjinë Shtetërore kundër Krimit të Organizuar dhe Planin e Veprimit 2018-2022. Takimin e hapi koordinatori nacional Kundër Krimit të organizuar, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.
Në këtë takim u diskutua për aktivitetet që janë ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe arritjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.
Zëvendësministri Shkodra tha se do të vazhdojnë me përkushtim të shtuar përpjekjet maksimale në luftimin e të gjitha llojeve të krimit në Kosovë dhe të gjithë atë që do të bëjnë shkelje do të përballen me ligjin.
Në këtë takim u raportua se momentalisht janë 36 raste duke u hetuar nga organet e rendit për krim të organizuar ku të përfshirë janë mbi 200 persona. Ndërsa vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019 janë shtuar edhe 3 raste me 20 persona.
Ministria e Punëve të Brendshme është bartëse kryesore e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Krimit të Organizuar 2018-2022.