Shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë përmbylli vitin e parë me mësim tërëditor, në kuadër të reformës arsimore, duke funksionuar si shkollë e mesme e ulët (sistemi 6-9).
Drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ky vit ka qenë i mbushur me sfida.
“Pas 78 vjetësh, për herë të parë shkolla jonë kaloi në sistemin shkolla e mesme e ulët 6-9. I kemi ndërruar nxënësit me shkollën ‘Qamil Batalli’. Ka qenë një vit risish, risi për ne e për mësimdhënësit, vit kombinimesh të reja të klasave dhe stafit, duke ndërtuar themel për të ardhmen. Kemi mësuar shumë, kemi korrur disa rezultate si në garat komunale dhe kemi shënuar ngritje në disa lëndë të caktuara”, tha Osmani.
Megjithëkëtë, drejtori Osmani vlerëson se mbetet shumë për t’u bërë. Shpreh bindjen se viti i ardhshëm shkollor do të jetë më i frytshëm.
“Kuptohet që fillimet kanë qenë të vështira, por me kalimin e kohës çdo gjë ka bërë vendin e vet dhe ka vazhduar të funksionojë mirë. Si drejtor jam shumë, kam dëshirë që shkolla që e drejtoj të veçohet dhe është e veçuar në Komunën e Prishtinës. Viti i dytë do të jetë më i lehtë, sepse tashmë e kemi vendosur një themel të këtij angazhimi, të kësaj reforme që ka ndodhur në Prishtinë dhe besoj që vitin tjetër do të jetë edhe më i mirë dhe më i suksesshëm ”, tha Osmani.
