Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ilaz Thaçi” nga Hani i Elezit do të jetë një nga 16 shkollat e Kosovës pjesë e projektit “Më mëso mua”. Kjo falë “Marrëveshjes së Mirëkuptimit” ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Qendrës për Arsim e Kosovës (KEC) që të zbatojnë projektin “Më mëso mua” gjatë periudhës shtator 2016 – qershor 2018.
Melinda Mula nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) tha se ky projekt ka për qëllim aftësimin e mësimdhënësve për t’i shfrytëzuar burimet online në procesin mësimor si dhe për zhvillimin e kompetencave të nxënësve për shfrytëzimin e këtyre burimeve në procesin e përvetësimit të njohurive dhe zhvillimit të shkathtësive të tyre.
Kryetari i komunës Rufki Suma duke falënderuar Qendrën për Arsim të Kosovës për përzgjedhjen e Shkollës Fillore të Mesme e Ulët “Ilaz Thaçi” nga Hani i Elezit që të jetë pjesë e këtij projekti tha se Komuna e Hanit të Elezit ka pas në vizionin e saj se teknologjia informative shumë shpejtë do të jetë burim në procesin e edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.
“Për këtë arsye kemi investuar në këtë drejtim si në trajnimin e stafit arsimor por edhe në pajisje me teknologji informative. Kjo na siguron se ky projekt mund të implementohet në shkollën tonë dhe se mundë të rezultojë me shumë sukses”, tha kryetari Suma.
Irfan Qajani, drejtor i Drejtorisë për Arsim dhe Kulturë në Komunën e Hanit të Elezit tha se me këtë marrëveshje Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) merr për obligim:
Trajnimin e drejtorit dhe të gjithë mësimdhënësve të shkollës “Ilaz Thaçi” lidhur me përdorimin e platformës digjitale “Më mëso mua” në procesin mësimor; pajisjen dhe montimin e 8 televizorëve Smart TV në shkollën përfituese; parapagimin në platformën “Më mëso mua” për të gjithë mësimdhënësit dhe të 500 nxënësve të shkollës “Ilaz Thaçi” për periudhën shtator 2016 – qershor 2018; ofrimin e përkrahjes profesionale për zbatimin e platformës “Më mëso mua” në procesin mësimor; monitorimin e mësimdhënësve lidhur me përdorimin e platformës “Më mëso mua”.
Ndërsa Komuna e Hanit të Elezit si bashkë-financuese në këtë projekt do të paguajë lidhjen në internet me brez prej së paku 30 MB/s për SHFMU “Ilaz Thaçi” për periudhën shtator 2016 – qershor 2018,të sigurojë pajisjet e instalimit elektrik që mundësojnë lidhjen e televizorëve në rrymë elektrike, si dhe të sigurojë që drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollës përfituese do të bashkëpunojnë me KEC për të realizuar me sukses aktivitetet e projektit, si monitorimin e zbatimit të platformës në procesin mësimor, si dhe sigurimin dhe përditësimin e adresave elektronike për lidhje në platformë të mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave përfituese.