Vetëm në 24 orët e fundit, në Iran janë shënuar 123 viktima të reja nga Coronavirusi, duke e çuar në 1556 numrin e përgjithshëm të personave të vdekur, bënë të ditur zyrtarët shëndetësorë.
Për më tepër, brenda kësaj periudhe u konfirmuan 966 raste të reja të infektimeve, duke bërë që numri i personave të infektuar të shkojë në 20 mijë e 610 njerëz.
Fatmirësisht, 7 mijë e 635 pacientë të infektuar me koronavirus në këtë shtet tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.
Irani është vendi më i prekur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme. Shumë shtete i kanë mbyllur kufijtë dhe i kanë ndërprerë fluturimet me këtë vend.
Në mesin e të infektuarve dhe viktimave më parë ka pasur zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet kanë paralajmëruar se miliona njerëz mund të vdesin, nëse populli nuk i merr seriozisht këshillat e organeve të shëndetësisë për izolim.