Mbetjet e djegura të 14 personave tjerë janë gjetur brenda dhe përreth Kalifornisë Veriore, vend ky i pushtuar nga flakët tash e disa ditë, duke çuar kështu numrin total të viktimave në 23.
Trupat u gjetën brenda dhe përreth zonës Paradise, një komunitet malor rreth 145 km në veri të Sakramentos që ka mbetur i shkatërruar nga zjarret, ka thënë Scott Maclean, zëdhënës i Departamentit për Pylltari dhe Mbrojtje nga Zjarri në Kaliforni, raporton Reuters.
Maclean tha se aktualisht nuk kanë detaje rreth rrethanave të vdekjeve dhe se viktimat janë të djegura skajshmërisht që do ta bëjnë edhe identifikimin e tyre shumë të vështirë, transmeton Koha.net.
Zjarret dogjën më shumë se 6,700 shtëpi dhe biznese në Paradise, më shumë se çdo zjarr që është regjistruar në historinë e Kalifornisë, e po ashtu edhe numri i viktimave, që mund të rritet edhe më tej, e bën këtë zjarr ndër më vdekjeprurësit në histori.
Vetëm zjarri në Parkun Griffith më 1933 dhe ai i Tunelit më 1991 kanë marrë më shumë jetë.