Shkon në 31 numri i viktimave të tërmetit të fuqishëm në Turqi

Prishtinë | 26 Jan 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive në Turqi ka njoftuar se ka shkuar në 31 numri i personave të vdekur nga tërmeti prej 6.8 shkallësh, i cili të premten e goditi pjesën lindore të Turqisë.

Deri më tani, mbi 1500 persona janë raportuar të lënduar. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gjejnë njerëz nën rrënoja, ndërsa numri i viktimave mund të rritet.

Këto ekipe deri tash i kanë shpëtuar 45 persona, përfshirë një grua që u nxor e gjallë nga rrënojat e shtëpisë së shembur, 17 orë pas tërmetit.

Më shumë se 3400 anëtarë të ekipeve të emergjencave me 17 qen nuhatës janë angazhuar nga qeveria për t’i kërkuar të mbijetuarit ose viktimat e mundshme nën rrënoja, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Një ekip është duke i vlerësuar dëmet e tërmetit. Sipas vlerësimeve fillestare, nga tërmeti janë shkatërruar 76 ndërtesa, 42 kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe 425 të tjera kanë pësuar dëmtime të vogla.

Tërmeti me fuqi prej 6.8 ballësh e goditi provincën Elazig në orët e vona të së premtes. Dridhjet u ndien edhe në Siri dhe Gjeorgji.

Të shtunën në mëngjes, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e vizitoi zonën e goditur nga tërmeti dhe mori pjesë në funeralin e dy viktimave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme