Policia e Zelandës së Re njoftoi se ka shkuar në pesë numri i viktimave të konfirmuara nga shpërthimi i papritur i një vullkani në Ishullin e Bardhë. Ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet.
Policia tha se janë shpëtuar 23 njerëz, por paralajmëroi se numri i personave të vdekur mund të rritet. Zona ku besohet se ndodhen personat e zhdukur është shumë e rrezikshme për të realizuar operacione kërkimi.
Vullkani i Ishullit të Bardhë, i njohur nga banorët lokalë edhe si Whakaari, është njëri ndër vullkanet më aktive në Zelandën e Re.
Pavarësisht këtij fakti, ishulli vizitohet vazhdimisht nga shumë turistë.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se disa turistë ndodhen përreth ishullit dhe në të. Në mesin e tyre ka banorë të Zelandës, por edhe turistë të huaj.
Vullkani shpërtheu në orën 2 e 11 minuta të pasdites sipas kohës lokale, që në kohën evropiane i bie në orën 1 e 11 pas mesnatës, shkruan “BBC”.