Numri i viktimave të coronavirusit në Iran ka shkuar në 5,877, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur.
Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 71 viktima të reja. Krahasuar me ditët e mëparshme, numri ditor i të vdekurve në republikën islamike ka shënuar rënie, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me Covid-19 në këtë shtet ka shkuar në 92,584, duke e bërë Iranin vendin më të prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme dhe një ndër vendet me shifrën më të madhe të infektimeve në Azi dhe në Botë.
Ministri iranian i mbrojtjes, Amir Hatami, e vlerësoi lart menaxhimin e situatës së pandemisë nga autoritetet shtetërore, raportoi agjencia IRNA.
Gjatë një vizite në një spital në Teheran, ai tha se stafi mjekësor i vendit e ka luftuar koronavirusin sikur të ishte në fushëbetejë me armikun dhe se mjekët e kanë mësuar popullin si të përballet me rreziqet e së ardhmes.