Të paktën 75 të burgosur janë vrarë gjatë një lufte mes bandave rivale që është zhvilluar njëkohësisht në tri burgje të Ekuadorit.
Ky është një prej incidenteve më vdekjeprurëse në burgjet e këtij shteti, në vitet e fundit, raporton BBC.
Ekspertët thonë se lufta mes të burgosurve ishte shkaktuar nga një betejë për kontrollin e burgjeve pasi lideri i njërës prej tyre ishte vrarë në dhjetor të vitit të kaluar.
Të tri burgjet në të cilat janë vrarë të burgosurit mbanin 70 për qind të të burgosurve të shtetit, bëri të ditur kreu i Sistemit ekuadorian të burgut.
Edmundo Moncayo tha se 33 të burgosur janë vrarë në burgun e Cuenca, 21 në burgun e Guayaquil dhe 8 të tjerë në burgun e Latacungas, të martën mbrëma. Ndërkaq, sot është bërë e ditur edhe për 13 të burgosur të tjerë të vrarë pa u specifikuar se në cilat burgje ka ndodhur kjo.
Raportohet se edhe një numër i madh i oficerëve policorë janë plagosur mirëpo të vrarët janë vetëm të burgosur.