Shkrimtarja shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, Shqipe Sylejmani, ka promovuar mbrëmë botimin e librit të saj më të fundit në gjuhën gjermane “Bürde & Segen“ (Barrë&Bekim).
Shqipe Sylejmani ka lindur në Prishtinë dhe jeton në Zvicër që kur ishte katër vjeçe. Ajo studioi gazetari dhe komunikim në Cyrih dhe punoi ndër të tjera si gazetare në Zvicër dhe New York. Që nga viti 2018 ajo është përfshirë në fushën e financimit kulturor dhe është presidente e shoqatës “Kulturwerkstatt: Techno”.
Libri i saj u prmovua mbrëmë, në Cyrih ku të pranishëm ishin një numër i madh i libërdashësve. Përveç kësaj, promovimi u shoqërua edhe me muzikë popullore e folklorike.
Shkrimtarja Shqipe Sylejmani mbajti edhe një fjalim në lidhje me librin e saj “Bürde & Segen“, duke pasqyruar disa pjesë të librit para audiencës së pranishme.
Në librin “Bürde & Segen“ trajtohen tema interesante, ndërthurje historie, me të cilën autorja me mjeshtërinë e saj letrare rrëfen përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet në vendlindjen e saj.
Romani rrëfen historin e vajzës që jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë mund të dëshirojnë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet. Megjithatë, edhe në fëmijërinë e saj, ajo ndjeu se gjithnjë i ka humbur diçka. Kur gjyshja i vdes dhe e lë me një fletore me destinacione udhëtimi në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e reja vendos të udhëtojë në këto vende vetëm për të gjetur qartësi në lidhje me jetën e saj. Në udhëtimin e saj ajo jo vetëm zbulon anekdota të vjetra, histori dhe mite, por gjithashtu gjen miq të rinj, dashuri dhe veten, shkruan albinfo.ch.