Muajin e kaluar Komuna e Deçanit ka filluar eliminimin e deponive ilegale dhe mbjelljen e fidanëve në ato hapësira. Por në një hapësirë të gjelbëruar janë shkulur fidanët dhe sërish është krijuar deponi mbeturinash.
Kjo ka nxitur reagimin e kreut të Komunës, Bashkim Ramosaj. Ai ka kërkuar nga qytetarët të kujdesen për mjedisin, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ju lutem dune vendin, respektojeni vendin, për të cilin kemi kaluar rrugë të mundimshme dhe kemi paguar çmim të rëndë. Në emër të sakrificës tonë! Nderojeni atdheun dhe të ardhmen. Mos na turpëroni më shumë…”, ka kërkuar Ramosaj nga bashkëqytetarët e tij.
Izet Zenuni, drejtor për Shërbime Publike, tregoi se shkulja e fidanëve dhe krijimi i serishëm i deponisë ilegale në të njëjtin vend ka ndodhur te fshatrat Lumëbardhë dhe Broliq.
“I kemi pastruar deponitë dhe po i pyllëzojmë ato hapësira për të krijuar hapësira të reja gjelbëruese, por qytetarë të pandërgjegjshëm i kanë hequr fidanët dhe i kanë mbuluar sërish me mbeturina. Inspektorati dhe policia duhet të ndërmarrin masa më të ashpra ndaj këtyre njerëzve të pandërgjegjshëm, sepse nuk bën kështu çdo ditë pastro e sërish mbushu me mbeturina. Pa pasur edhe ndëshkime nuk bën”, ankohet Zenuni.