Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi një rezolutë lidhur me kontestin me Bullgarinë, i cili ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian.
Rezoluta e propozuar nga VMRO DPMNE-ja në opozitë i obligon institucionet që të mos negociojnë me palën bullgare lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.
Janë pikërisht këto çështje, të cilat Sofja i konteston, pasi konsideron se gjuha maqedonase, sikurse edhe identiteti maqedonas, ekzistojnë pas vitit 1945, apo pas Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj periudhe, pala bullgare thotë se ato kanë pasur “rrënjë bullgare”.
“Kërkojmë të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore. Të respektohen studimet shkencore, sipas të cilave, gjuha maqedonase dhe dialektet e saj kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore. Të zbatohen konventat dhe deklaratat ndërkombëtare pozitive dhe përgjithësisht të pranuara nga Kombet e Bashkuara për të drejtën e vetëvendosjes, si dhe të respektohet vullneti i shprehur lirisht dhe pa kushte për përkatësinë etnike të popullit maqedonas”, thuhet në rezolutën e miratuar nga 95 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev.
Miratimit të rezolutës i kanë paraprirë përplasje të thella mes partive politike, meqë opozita maqedonase pretendon se pushteti po zhvillon negociata të fshehta për lëshim pe para kërkesave të palës bullgare – akuza këto që janë hedhur poshtë nga Lidhja Social-Demokrate në pushtet.
Miratimi i rezolutës mund të ndërlikojë procesin e bisedimeve me Bullgarinë, pasi pa një marrëveshje, Sofja nuk pritet të heqë dorë nga vetoja, të cilën për herë të parë e ka përdorur në nëntor të vitit të kaluar, kur ka pamundësuar fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve e pamundëson edhe kriza politike në Bullgari, ku edhe pas dy cikleve zgjedhore nuk ka një stabilitet politik për zgjedhjen e një qeverie që do të ishte në gjendje të merrte vendime politike.
Një rezolutë për “vijat e kuqe” ka miratuar edhe Bullgaria, e cila po ashtu konfirmon përkushtimin për të mos hequr dorë nga kërkesat për Maqedoninë e Veriut, përkatësisht njohjen nga Shkupi të lidhshmërisë së gjuhës dhe identitetit maqedonas me Bullgarinë.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje dy vendeve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, që do të zhbllokonte nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi të dyja këto shtete vlerësohet se i kanë përmbushur kriteret për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare.