Njeriu që do ta shndërrojë Kalanë e Vushtrrisë në restorant, Mentor Salihu, ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim për bashkëkryerje të një vrasjeje para 12 vjetësh.
Pos tij, për këtë rast kanë qenë të dënuar edhe njëri vëlla dhe babai i tij, ndërsa vëllai tjetër vazhdon të jetë në arrati. E iniciativa qytetare në rrjetet sociale “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë” ka kërkuar anulim të kontratës nga IKMM-ja.
Për bashkëkryerje të vrasjes, shfrytëzuesi i ri i hapësirave të Kalasë së Vushtrrisë, Mentor Salihu, ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim.
Njeriu që do ta kthejë kalanë në restorant, në vitin 2005 së bashku me dy vëllezërit dhe babait e tij ka qenë i përfshirë në vrasjen e Nexhat Mehollit.
Për këtë rast, Mentor Salihu ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim, njëri vëlla 8 vjet, babai tij 1 vit e gjysmë dhe vëllai tjetër është ende në arrati.
Kjo është konfirmuar për KTV-në nga kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqri Syla. Ndërsa përfaqësues iniciativës “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë” kanë kërkuar anulimin e kontratës.
“Ne si grup qytetarësh nuk kemi probleme me individë të caktuar e as persona fizik apo bizneset, problemi qëndron tek pakënaqësia jonë si qytetarë me vendimin e Institutit për ta dhënë Kalanë, të vetmen hapësirë publike të të rinjve, në shfrytëzim për restorant. Madje në mënyrë tejet jo transparente!”
Tutje ky grup ka fajësuar qeverisjen lokale për viktimizim, edhe pse sipas tyre, kjo e fundit ka mundur ta ndalë atë që në reagim është quajtur çmenduri.
Javën e kaluar Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka dhënë në shfrytëzim për 5 vjetët e ardhshëm Kalanë e Vushtrrisë, Mentor Salihut, dajë i kryetarit Bajram Mulaku.
Por Mulaku, një ditë më herët, ka thënë se ai nuk ka ndikuar në përzgjedhjen madje ka thënë se komuna nuk ka qenë në dijeni për këtë.
I pari i këtij Instituti, Agim Gërguri, përmes telefonit ka thënë se në nuk kanë qenë në dijeni se Salhiu ka qenë i dënuar për vrasje, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin më një qëndrim, ku nuk përjashtoi as mundësinë e anulimit të kontratës.