Shoqata e Bankave të Kosovës mëson nxënësit se si të kursejnë

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 12:37 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Bankave të Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Kursimeve me disa aktivitete me nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta të shkollës fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Me këtë rast, drejtori i Shoqatës së Bankave, Petrit Balija tha para nxënësve se të gjitha vendet e zhvilluara janë ngritur në bazë të kursimeve të qytetarëve, andaj sipas tij, në këtë mënyrë duhet të veprojë edhe Kosova, raporton EkonomiaOnline.

Balija u sqaroi fëmijëve se krahas kursimit të parasë, ata duhet të kursejnë ambientin dhe resurset natyrore, duke mos hedhur mbeturina në vendet e palejuara dhe duke mos dëmtuar gjelbërimin.

“Ne kemi zgjedhur shkollën tuaj për mesazhin dhe sot po flasim edhe për kursimin e ambientit sepse është resurs i rëndësishëm. Kujdesi në shpenzime është shumë i rëndësishëm si në para, si në resurse natyrore”.

“Çdo moskursim i natyrës i kushton shtetit. Nëse i kushton shtetit, i kushton familjeve tona, prindërit paguajnë tatime për të pastruar rrugët, shkollat. Ky është mesazhi që sektori bankar dëshiron të përçojë te ju dhe familjet e juaja”.

Ndërsa drejtori i shkollë fillore “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi, u shpjegoi nxënësve se duke kursyer paratë, bankat e karriget e shkollës, ata kursejnë xhepin e prindërve të tyre.

“Këtë ditë jemi mbledhur edhe kryetaren e nxënësve, e cila do të përcjellë të nxënësit tjerë qe nuk janë sot prezent mesazhin që është e rëndësishme të fillojmë kursimet nga familja, që te kursejmë xhepin e prindërve, të ruajmë invertarin e shkollës sepse çdo që ruhet quhet kursim, edhe ushqimin nëse nuk e marrim më shumë sesa mund ta hamë quhet kursim”.

Maliqi u bëri thirrje nxënësve që të kursejnë çdo ditë ambientin.

“Këtë informacion që e merrni sot mund ta shpërndani te familjet dhe shoqëria, që të kursejmë çdo ditë, ta kursejmë edhe ambientin, të mos hedhim mbeturina, që të kemi ambient më të pastër”.

Kryetarja e shkollës, Ujvara Kuleta, tha para nxënësve se të kursesh do të thotë të fitosh më shumë.

“Kursimi ka të bëjë edhe me natyrën dhe gjëra të tjera”.

Më pas, nxënësit së bashku me mësuesit, drejtorin e shkollës dhe drejtorin e Shoqatës së Bankave kanë mbjellë në oborrin e shkollës një fidan të  llojit “Pulownia”, raporton EO.

Petrit Balija, thotë se ky fidan brenda një viti e gjysmë do të rritet për dy metra dhe kjo sipas tij simbolizon kursimet që mund të fillojnë me sado pak dhe brenda një kohë shumë të shkurtër ato kursime do të rriten dhe do tu shërbejnë për nevojën e tyre.

“Prandaj, mesazhi që sot japim për gjithë Kosovën është që të gjithë të kujdeseni për ambientin, mirëqenien tonë dhe sidomos për fëmijët të cilët e kanë një të ardhme të sigurt, të kujdesemi për kursimet e tyre dhe të sigurojmë një të ardhme stabile për ta”.

Kurse drejtori i shkollës, Liridon Maliqi, u shpreh se përpos ambientit, nxënësit dhe të tjerët duhet të kujdesen dhe të ruajnë inventarin e shkollës sepse sipas tij, në këtë mënyrë ata kursejnë paratë e prindërve të tyre.

“Prej sot llogarisim se Shoqata e Bankave na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë qe të japim një mesazh dhe të solidarizohemi me të tjerët që duhet të kursejmë duke krijuar kulturë të kursimit dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Aktiviteti tjetër që zhvilluan nxënësit në kuadër të shënimit të kësaj dite, ishin punimet e tyre përmes shkrimeve dhe vizatimet lidhur me mënyrën se si e mendojnë ata kursimin.

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Kursimeve, Shoqata e Bankave të Kosovës ka shpërndarë materiale që lidhen me kursimin e parasë për nxënësit e ciklit të ulët të shkollës fillore “Dituria” në Shkabaj të Prishtinës. Materiale të tilla u janë dhuruar edhe organizatës “The Ideas Partnership në Fushë-Kosovë.

Dita botërore e kursimit shënohet si kujtim i Kongresit të parë ndërkombëtar të kursimoreve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano të Italisë.

Pjesëmarrësit në Kongres janë dakorduar se kursimi është shumë i nevojshëm për zhvillimin e njerëzimit, si dhe për ringjalljen e luftës kundër shfrenimit.

           

Të ngjashme