Shoqata e Bankave ndan 25,000 euro për familjen e policit Izet Demaj

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Bankave të Kosovës ka marrë vendim të ndajë 25,000 euro si ndihmë për familjen e policit Izet Demaj i cili humbi jetën në krye të detyrës për të mbrojtur lirinë e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre për të jetuar dhe vepruar të qetë dhe të sigurt në Republikën e Kosovës.

Shoqata e Bankave të Kosovës duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit Izet Demaj ka njoftuar se ka marrë vendim për të ndarë një ndihmë prej 25,000 Euro për këtë familje. Përveç ndihmës monetare aktuale, vendimi i Shoqatës së Bankave parasheh edhe ndihma të tjera për të qenë pranë familjes Demaj edhe në të ardhmen për të ndihmuar këtë familje sado pak në këto rrethana të vështira në të cilat po kalojnë ata.

Në mesazhin e ngushëllimit Shoqata e Bankave të Kosovës në mes tjerash tha se “Polici Demaj dha jetën e tij për të mbrojtur lirinë e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre për të jetuar dhe vepruar të qetë dhe të sigurte në Republikën e Kosovës. Izet Demaj nuk u pajtua me te keqen dhe ra heroikisht për një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Shoqata e Bankave të Kosovës dënon fuqishëm veprimet e tilla kriminale siç ishte kjo grabitje e një banke, veprime të cilat janë bërë dukuri e shëmtuar në vitet e fundit në Kosovë dhe njëherit shpreh mbështetje për institucionet e sigurisë për të rritur kapacitetet dhe angazhimet në parandalimin e këtyre incidenteve.

Të ngjashme