Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kërkojnë nga institucionet e Kosovës që ta formojnë Ushtrinë e Kosovës.
Në njoftim thuhet se nuk ka shtet të pavarur pa ushtrinë e tij, andaj edhe Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj.
“Shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë përcjellë më vëmendje të gjithë ecurinë e zhvillimeve politike në Kosovës, sidomos ato ecuri që kanë të bëjë me luftën dhe Ushtrinë e Kosovës. Andaj, publikisht Ju bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur për formimin dhe ligjësimin e Ushtrisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
“Ushtria e Kosovës është njëri nga faktorët më të rëndësishëm të pavarësisë së saj, por edhe faktori themelore i ruajtjes dhe mbrojtjes së lirisë së Kosovës. Ushtria e Kosovës është gurë themeli i sigurisë së saj, i mbrojtjes së saj, si dhe i garantimit të pavarësisë së Kosovës. Ushtria e Kosovës është kërkesë e popullit të Kosovës, e të gjithë atyre që Kosovën e konsiderojnë pjesë të atdheut të tyre, pjesë të kulturës dhe të gjuhës së tyre, andaj ajo duhet të formohet sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të krijohet faktori themelore i sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Më tej theksohet “Mbështesim të gjitha ato forca politike dhe shoqërore në Kosovë që janë në shërbim të proceseve të krijimit dhe ligjësimit të Ushtrisë së Kosovës. Ata që janë kundër, na kanë edhe në kundër, sepse i konsiderojmë kundër rrjedhës së proceseve historike që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Shoqata e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe deri tashti kanë qenë shumë të durueshme lidhur me stërzgjatje për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por nëse kjo çështje nuk zgjidhet sa më parë, atëherë nuk e marrim përgjegjësinë për mosdëgjueshmëri qytetare”.