Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka dënuar dhunën e policisë ndaj gazetarit të “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi, gjatë protestës së opozitës, të shtunën e 26 majit në Tiranë.
Në një reagim “Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i uron shërim të shpejtë kolegut Kasmi, e falënderon ekipin mjekësor të spitalit të Traumës në kryeqytet, për kujdesin në mjekimin e gazetarit”.
Po ashtu Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë “vlerëson se dhuna ndaj një gazetari, që kishte me vete vetëm një celular, është e papranueshme dhe duhet dënuar.”
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bashkohet reagimit të organizatës “Reporterët pa kufij”, duke kërkuar nga kryeministri Edi Rama, që të dënojë publikisht përdorimin e dhunës nga Policia.