Shoqata e Naftëtarëve kërkon që kontrolli i naftës të bëhet në kufi, ankohet për gjoba të larta

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 12:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në takimin e Shoqatës së Naftëtarëve me zëvendësministra nga Ministria e Financave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Fadil Berjani, drejtor i kësaj shoqate, ndër të tjera tha se kontrolli i cilësisë së naftës duhet të bëhet në kufi.

“Ligji i naftës nuk duhet të hiqet dhe asnjë koleg nuk do të eliminohet nga importi. Kontrolli i cilësisë të bëhet në kufi. Nëse ju pëlqejnë këto rekomandime t’i votojmë dhe t’ua përcjellim zëvendësministrave”.

Kryetari Berjani u ankua edhe për gjobat e larta, duke thënë se kanë kërkuar që gjobat të mos jenë më të larta se 5000 euro, raporton Ekonomia Online.

“Jom mundu në internet me i gjetë gjobat dhe kërkund në botë nuk janë më të shtrenjta. Ne kemi kërkuar dhe është solide gjatë importit nëse gjendet mall jokomfort gjobat të jenë 1000 deri 5000 euro”.

“Sa i përket ambientit gjithmonë kemi kërku derivate kundër ndotjes së ambientit. Kemi kërkuar që gazit t’i hiqet akciza. 95 për qind gazi përdoret në amvisni dhe vetëm 5 për qind për automjete”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, falënderoi të pranishmit për përkrahjen dhe korrektësinë. Ai ftoi që përkrahja ndaj OEK-ut të vazhdojë dhe të shtyhen përpara agjendat biznesore, raporton EO.

“Ju falënderoj për përkrahjen e Odës Ekonomike dhe korrektësinë. Ju bëj ftesë me vazhdu me përkrah Odën Ekonomike dhe t’i shtyjmë agjendat që janë për biznesin”.

“Sa i përket Ligjit të naftës, ky ligj duhet t’i reflektojë interesat e sektorit dhe një herë e përgjithmonë t’i rregullojë problematikat e këtij sektori”.

Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, shpjegoi Udhëzimin e ri Administrativ, me të cilin pritet të fillojë viti 2019.

“Me Udhëzimin Administrativ kyçjet nëpër rrugë duhet t’i plotësojnë disa kushte. Parashihet që taksa të jetë 4 euro për metër katrorë, ndërsa për rrugë rajonale 2 euro për metër katrorë. Partnerë kryesorë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe i qeverisë janë edhe Shoqata e Naftarëve. Ne si partnerë strategjikë duhet t’i marrim parasysh edhe kërkesat e juve. Jemi në përfundim të Udhëzimit Administrativ dhe po besojmë që deri në fund të vitit ta përmbyllim çështjen e Udhëzimit Administrativ. Dhe vitin e ardhshëm të fillojmë me udhëzimin e ri”.

Zëvendësministri Kadriu tha se po përpiqen që taksën për kyçjen në rrugë ta eliminojnë, ose të paktën ta zvogëlojnë.

“Taksën për kyçjen në rrugë shpresojmë se do ta zvogëlojmë ose ta eliminojmë. Do ta gjejmë një modalitet. Jemi të interesuar në përkrahjen e bizneseve tuaja. Ecja jonë në këtë rrugë do të jetë nga viti 2019 me Udhëzimin e ri Administrativ”.

Zëvendësministri i Financave, Hyzer Gashi, tha se ndonjëherë problemet mund t’i duken qeverisë  të vogla, por, sipas  tij, për bizneset janë shumë të mëdha.

“Problemet janë mbi 5 vite. Jemi dëshmitarë.
Nganjëherë problemet duken shumë të vogla për qeverinë, por për biznesin janë shumë të mëdha. Çështjet e humbjeve, janë tu kërku modalitete që të jetë i normatizum”.

“Jemi bazu në modelin slloven qe TVSH-n ta paguajmë mas një periudhe 50-ditore. Do të hiqen shtrëngesa financiare, do të kemi një mundësi më të lehtë të bëjmë biznes. Sepse bizneset janë detyru të marrin kredi ta paguajnë TVSh-n”.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa, tregoi se është duke u rishikuar Udhëzimi Administrativ për licencimin e pompave, raporton EO.

“Udhëzimi Administrativ për licencimin e pompave është duke u rishikuar në bazë të ankesave që kanë qenë që të jenë më të lehta procedurat. Çdo ligj bëhet dhe i përshtatet biznesit që të jetë sa më funksional dhe t’i përshtatet më shumë biznesit”.

Berat Rukiqi i njoftoi të pranishmit që do të zhvillojë një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Të ngjashme