Në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ua ka dhuruar çelësin e një zyre të siguruar për nevojat e Shoqatës së të Pagjeturve, raporton Ekonomia Online.
Çelësin e pranoi, Bajram Qerkini, i cili falënderoi kryetarin Rama, duke kërkuar që të bëhet sa më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
“Do t’i them disa fjalë që mi ka thane babë e babagjysh: miku i mirë gjendet në kohën e vështirë. Është një kohë shumë e rëndë”.
“Jam kënaq kur e kam parë objektin. Lypës jam nuk jam zgjedhës. Në vitin që vjen do t’i kemi të anëtarësuar 3 000 vet. Nuk është pak që t’ua zbusësh zemrën këtyre familjeve, të cilat më nuk kanë as lot të derdhin”.
Kurse Rama tha se do të angazhohen maksimalisht që tu dalin në ndihmë këtyre familjeve.
“Për fat të keq ende jemi në kërkim të të zhdukurve. Ju falënderoj për punën që po e bëni si organizatë prej 2017. Ne tash si kryeqytet e dimë nevojën e madhe për familjet që ende janë në kërkim të të dashurve të tyre”.
“Faleminderit që merreni me këtë çështje madhore. Jemi munduar që t’ua gjejmë një vend prej ku mundeni me punuar. Kjo më se paku është për juve e më së shumti për familjet e shoqërinë”.