Shoqata e UÇK-së në Drenas: Jemi përjashtuar nga festimet e Ditës së Pavarësisë

Prishtinë | 15 Shk 2026 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Shoqatat e dala nga lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) – Dega në Drenas kanë reaguar ndaj institucioneve komunale, duke shprehur pakënaqësi për mospërfshirjen e tyre në organizimet për Ditën e Pavarësisë, si dhe për mungesën e ftesës në seancën solemne të 16 shkurtit 2026.

Në reagimin e tyre thuhet se kjo qasje përjashtuese përbën mungesë respekti institucional dhe fyerje ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe veteranëve.

“Kjo qasje përjashtuese përbën mungesë respekti institucional dhe fyerje ndaj sakrificës së dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Është e papranueshme që në ditë shtetërore të anashkalohen kategoritë që janë themeli i kësaj lirie”, thuhet në reagim.

Shoqatat theksojnë se institucionet komunale nuk kanë të drejtë morale e as legjitimitet historik të festojnë Pavarësinë duke përjashtuar ata që, sipas tyre, e bënë atë të mundshme.

“Respekti ndaj luftës çlirimtare nuk është formalitet, por detyrim institucional dhe kombëtar”, theksohet më tej.

Në reagim përmendet se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar takime dhe është kërkuar bashkëpunim me komunën, por sipas tyre, asnjë kërkesë nuk është realizuar.

“Në shenjë revolte vendosëm të mos bëjmë homazhe së bashku, por kjo nuk mjafton. Veçanërisht shqetësuese mbetet refuzimi kategorik i çështjes së trojeve, pa asnjë sqarim zyrtar”, thuhet në reagim.

Po ashtu, ata pretendojnë se ndonëse komuna deklaron se të gjitha OJQ-të duhet të bashkëpunojnë me Drejtorinë për Rini dhe Sport, në praktikë vetëm organizatat me emblemë të UÇK-së janë përjashtuar nga përkrahja.

“Nga rreth 50 OJQ që aplikuan vitin e kaluar, vetëm organizatës sonë nuk iu aprovua asnjë kërkesë”, thuhet në reagim, duke ngritur shqetësimin: “Ku jemi sot – në Drenas apo në Gllogovc?”

Shoqatat kërkojnë sqarim zyrtar, trajtim të barabartë dhe reflektim institucional, duke paralajmëruar se heshtja dhe injorimi do të konsiderohen si qëndrim i qëllimshëm dhe i papranueshëm.

Ata bëjnë të ditur se do të dalin me komunikata të tjera për media pas mbajtjes së një takimi me anëtarët e kryesisë.

“Në fund, ju apelojmë asamblistëve të rinj ta bojkotojnë këtë seancë, sepse pa përfaqësimin e atyre që e sollën këtë ditë, nuk besojmë që ka vlerë”, thuhet tutje nga reagimi i Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së – Dega në Drenas.

Të ngjashme