Putini, Lukashenko apo Vuçiqi nuk kanë ngritur një shoqëri autoritare brenda nate. Çdo gjë ka filluar me hapat e vogël “ligjor” dhe “procedural” të cilat një nga një kanë rrënuar themelet e demokracisë.
Në fakt në zgjedhjet e fundit në Bjellorusi, ishte KQZ-ja e Bjelorusisë e cila ka qenë instrumenti kryesor i Lukashenkos përmes të cilit ai ka manipuluar rezultatin zgjedhor. Psh. KQZ-ja duke marr për bazë kriteret “ligjore” dhe “procedurale” kishte përjashtuar nga gara dy kandidatë opozitar: Tsepkalo dhe Babaryka. Kur opozita organizoj protestë paqësore në shenjë revolte – ata u arrestuan pasi që kishin bërë shkelje “ligjore” dhe “procedurale”.
Putini siguroj sundim 20 vjeçar duke bërë ndryshime të vogla kohëpaskohshme të “ligjit” dhe “procedurës”. Madje edhe kohëve të fundit, Putini ndryshoj “ligjin” dhe “procedurën” për të siguruar se askush asnjëherë nuk do të mund të ndjek penalisht. Nga ana tjetër, Vuçiqi refuzoj kërkesën e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve vitin e kaluar sepse insistonte në respektimin e “kushtetues” dhe “ligjeve”.
Dua të jam i qartë për diçka që besoj është vetevidente – ne ende nuk jemi në këtë stad. Për ketë meritën kryesore e kanë engjëjt mbrojtës të vendit tonë: miqtë tanë ndërkombëtar. Sidoqoftë, zhvillimet e muajve të fundit janë arsye për brengosje. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përmbysur sigurinë juridike dhe politike. Tani ky “original sin” ka futur institucione shtetërore dhe spektrin politik në një rreth vicioz nga i cili nuk ka dalje të lehtë.
Se si do dalim nga kjo situatë e krijuar – nuk e di. Por çfarë di është se duhet të jemi jashtëzakonisht vigjilent ndaj veprimeve të cilat janë duke kërcënuar sigurinë tonë juridike dhe politike dhe të cilat përbëjnë themelet e demokracisë tonë. Sot Putini e ka shumë të lehtë të arrestoj Navalnyn dhe 2,000 protestues, apo Lukashenko të refuzoj zgjedhje të lira. E kanë të lehtë sepse ata tani janë vetëm duke zbatuar “ligjin” dhe “procedurën”.
Ata nuk e kanë ngritur një demokraci autoritare brenda natës dhe përmes një akti të vetëm. Por përmes një numri të madh të akteve të vogle dhe të izoluara të ndryshimit të “ligjit” dhe “procedurave”. Këto akte të izoluara në tërësinë e tyre kanë ngritur një shoqëri ku qytetarëve dhe opozitës u është hequr nga dora çfarëdo mjeti politik dhe juridik për të kundërshtuar atë çfarë sistemi ka krijuar – një përbindësh demokratik.
Një demokraci ku në letër mund të kesh të drejta të plota demokratike, por ato janë fiktive – pasi që nuk ka asnjë mënyrë “ligjore” dhe praktike për të realizuar ato. Me fjalë të tjera, shteti është çdo herë në anën e ligjit. Qytetari është çdo herë në anën e kundërt.