Një grumbull organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar sot ndaj Ministrisë së Shëndetësisë pas pamjeve ku qytetarë të moshuar ishin përfshirë në një tollovi para sallës “1 Tetori” ku pritej të vaksinoheshin.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile të poshtshënuara, me shqetësim po ndjekin situatën e krijuar si pasojë e vaksinimit të grupmoshës mbi 65 vjet në sallën 1 tetori në Prishtinë, si dhe në rajonet tjera, pas një thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh-së) të publikuar këtë të Mërkure”, thuhet në komunikaën e përbashkët të këtyre organizatave.
“Kjo ftesë nga MSh-ja, pa një plan dhe orar të qartë të vaksinimit të personave të kësaj grupmoshe, shkaktoi radhë të gjata dhe grumbullime të cilat rrezikojnë direkt shëndetin publik e sidomos të një grupmoshe më të rrezikuar nga Covid 19”.
Ata kanë thënë që një mungesë plani mund të rezultojë me infektime të reja, dhe se ministria i ka mundësitë për një organizim më të mirë por nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.
“Ne konsiderojmë që ministria ka të gjitha kapacitetet për ta menaxhuar këtë situatë dhe është e pakuptueshme se si e njëjta nuk ka arritur të krijojë një sistem dhe infrastrukturë adekuate konsideruar faktin që procesi i vaksinimit do shkojë duke u shtuar dita ditës”.
“Që ky proces të implementohet ashtu si duhet, MSh-ja duhet të mësoj nga vendet e rajonit dhe të decentralizojë procesin e vaksinimit duke krijuar qendra të reja në Prishtinë, dhe jo vetëm. Një gjë e tillë është absolutisht e bëshme dhe do të evitonte radhët e gjata, përkatësisht do të ruante shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”.
Organizatat që u bashkuan për këtë reagim janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Organizata ÇOHU!, Instituti KIPRED, EC Ma Ndryshe, Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Demokraci për Zhvillim – D4D, Demokracia Plus – D+, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Instituti GAP dhe Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF.