Shoqëria civile kundërshton nisjen e hartimit të Ligjit të ri për Prokurimin Publik

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Financave për themelimin e një grupi punues për hartimin e Projektligjit të ri për Prokurimin Publik, duke e cilësuar këtë proces si seriozisht të diskutueshëm në rrethana institucionale dhe procedurale.

Në reagimin e përbashkët thuhet se nisja me nguti e një procesi për hartimin e një ligji me rëndësi të lartë, siç është Ligji për Prokurimin Publik, është politikisht e papërshtatshme dhe institucionalisht e paarsyeshme në kushtet e mungesës së një mandati të plotë qeveritar.

“Hartimi i një ligji të tillë nuk është proces teknik, por proces normativ me pasoja afatgjata për sistemin e prokurimit publik dhe menaxhimin e fondeve publike, i cili kërkon stabilitet institucional, legjitimitet politik dhe proces të mirëfilltë konsultativ”, thuhet në komunikatë.

Shoqëria civile kritikon gjithashtu përbërjen e grupit punues, duke theksuar se mungesa e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur përbën shkelje të Rregullores së Punës së Qeverisë.

“Rregullorja parasheh në mënyrë eksplicite ftesën dhe përfshirjen e shoqërisë civile në grupet punuese për hartimin e akteve normative. Mosrespektimi i këtyre dispozitave cenon parimin e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit real”, theksohet më tej.

Sipas organizatave, përjashtimi i shoqërisë civile nga faza fillestare e hartimit të ligjit dobëson kontrollin publik dhe rrezikon që ndryshimet ligjore të reflektojnë interesa institucionale e jo interesin publik, veçanërisht në një sektor të ndjeshëm si prokurimi publik.

“Prokurimi publik është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqmenaxhimit të parasë publike”, thuhet në reagim.

Organizatat vlerësojnë se nisja e këtij procesi në këto rrethana është e nxituar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, duke kërkuar që çdo proces për hartimin ose ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik të zhvillohet në mënyrë të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Reagimi është nënshkruar nga: Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Iniciativa për Progres, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL.

Të ngjashme