Organizatat e Shoqërisë Civile Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore i janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me letër të hapur në lidhje me procesin e ndërtimit të TC “Kosova e Re” i cili po mbahet i mbyllur në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe vendimet e gjykatave.
Letra e hapur e plotë:
Letër e hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës
Procesi i ndërtimit të TC “Kosova e Re” po mbahet i mbyllur në kundërtshim me ligjet në fuqi dhe vendimet e gjykatave
Ne, grupi i organizatave të shoqërisë civile, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që konform kompetencave që ua garanton Kushtetuta, të kërkojnë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re”.
Në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në kundërtshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.750/13 të datës 12 dhjetor 2017, i rikonfirmuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit nr.72/2018 i datës 13 dhjetor 2018; si dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinësnr.318/17 të datës 10 prill 2019, Ministria e Zhvillimit Ekonomik refuzon publikimin e dokumenteve që ndërlidhen me procesin e tenderimit të TC “Kosova e Re”.
Organizatat e lartëshënuara përmes dhjetëra kërkesave nga që viti 2011 e deri tani, kemi kërkuar në vazhdimësi transparencë në procesin tenderues të TC “Kosova e Re’ dhe vazhdimisht kemi marr përgjigje refuzuese. Në qershor 2013 dhe në shkurt 2017, kemi parashtruar padi kundër MZHE-së për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për qasje në dokumente publike. Gjykata Themelore e Prishtinës ka gjetur fajtor MZHE-në në të dy rastet, madje njëri rast duke u konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Por, përkundër vendimeve gjyqësore, MZHE vazhdon të mbajë fshehur dokumentet që ndërlidhen me këtë proces.
Andaj, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që konform të drejtave dhe obligimeve që ua garanton Kushtetuta, të detyrojnë MZHE-në të respektojë vendimet e gjykatave dhe të bëjë publike këto dokumente:
Publikimi i këtyre dokumenteve është me rëndësi për publikun dhe Kuvendin e Kosovës ngase ne besojmë se gjatë procesit të tenderimit, MZHE dhe Komiteti Drejtues kanë bërë shkelje ligjore, duke ndryshuar vazhdimisht kushtet tenderuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës nr.03-V-272 të 1 prillit 2010 për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009-2018.
Organizatat e lartëshënuara janë në procese gjyqësore ndaj MZHE që nga viti 2013 dhe përkundër vendimeve të vonuara të gjykatave, prapë se prapë MZHE refuzon qasjen e publikut në këto dokumente.
Andaj, me qëllim që të sigurohet se procesi i ndërtimit të TC “Kosova e Re” është zhvilluar konform ligjeve në fuqi, kërkojmë nga deputetët që të angazhohen në sigurimin e transparencës për këtë projekt, para se të fillohet ndërtimi i termocentralit.
Ju rikujtojmë se organizatat tona kanë parashtruar padi ndaj MZHE edhe për procesin tenderues të KEDS dhe katër vite pas privatizimit të rrjetit të energjisë, Gjykata ka obliguar MZHE-në që të bëjë publike asetet e privatizimit, ashtu siç i kemi kërkuar para se ato të privatizoheshin. Në rast se MZHE do të bënte publike asetet e privatizimit të KEDS para se procesi i shitjes të përmbyllej, do të shpëtoheshin së paku katër hidrocentrale të cilat janë shitur bashkë me asetet e rrjetit dhe do të shpëtohej shkatërrimi i pasurisë publike. Tani, rasti i KEDS është në proces gjyqësor, por dëmi është bërë.
Me qëllim që të parandalohet e njejta edhe në projektin “Kosova e Re”, kërkojmë angazhimin e deputetëve në mbrojtjen e interesit publik.
Kësaj letre i bashkangjesim edhe:
Me respekt,
Visar Azemi – Balkan Green Foundation
Nora Latifi-Jashari – Instituti GAP
Arberesha Loxha – Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Burim Ejupi – Instituti për Politika Zhvillimore