Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor të akuzuarit në rastin “Syrin e Popullit”, raporton Ekonomia Online.
Murata Jashari për 10 vjet do të qëndrojë në institucion shëndetësor në trajtim të detyrueshëm psikik.
Kurse Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burg, por që në këtë dënim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Përderisa Avni Llumnica, është dënuar me 12 vjet burgim, duke iu llogaritur edhe koha gjatë paraburgimit, si dhe i është konfiskuar vetura X6.
Llumnica pas marrjes së vendimit ka thirrur ‘tradhti’, më pas ka fyer trupin gjykues ,e ç’rast policia e ka nxjerrë jashtë.
Ragip Sallova u dënua me 4 vjet, Bajrush Konjusha 3 vjet, Halim Halimi 3 vjet, Rexhep Topllana 2 vjet dhe Behxhet Lluzha 2 vjet.
Sipas kryetares se trupit gjykues, Naime Krasniqj Jashanica të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, më 15 maj 2017, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Kosovës.
Në rastin “Syri i Popullit” kishin dëshmuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Javën e kaluar, të akuzuarit japën fjalën e tyre përfundimtare. Sadri Ramabaja e cilësoi procesin si të montuar politikisht, ndërsa vet prokurorin si të ndikuar. Ai deklaroi se i gjithë procesi ishte inskenuar nga klani “Pronto”.
Prokurori Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë.
Hoxha hoqi dorë nga ndjekja penale për Lirije Luzhën dhe Sabit Berisha të cilit ishin si të dyshuar në këtë rast.