Në shtator dhe tetor u mbajt gara e fotografisë Wiki Loves Monuments në Kosovë dhe Shqipëri me qëllim mbledhjen e fotove për Wikipedia.
Gara organizohet për herë të tretë në Kosovë dhe Shqipëri, dhe këtë vit janë ngarkuar 648 foto nga 39 garues në Kosovë dhe 406 foto nga 19 garues në Shqipëri.
Një juri prej pesë anëtarësh e përbërë nga fotograf dhe wikipedian nga Kosova dhe Shqipëria ka nxjerrë fituesit.
Në Kosovë fitues janë Arben Llapashtica me një foto të Balsamariumit në Ulpianë, Shkelzen Rexha me Muzeun Etnologjik në Gjakovë dhe Ardian Lumi me një foto nga Muzeu Etnologjik në Prishtinë. Vendet tjera janë zënë nga Shkelzen Rexha, Ardian Lumi, Arben Llapashtica dhe Milot Krasniqi.
Me portretizimin e monumenteve të mbrojtura në Shqipëri fitues kanë dalë Shkëlzen Rexha i cili ka dominuar garën dhe Lars Haefner.
Çdo konkurs kombëtar do t’i dorëzoj 10 foto në garën ndërkombëtare. Këto fotografi të përzgjedhura do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e cila më pas do të ndajë shpërblime shtesë për fotot më të mira nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Gara në Kosovë është organizuar nga FLOSSK përmes mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si dhe Fondacionit Wikimedia ndërsa në Shqipëri nga Open Labs përmes mbështetjes së Fondacionit Wikimedia.
Organizatorët falënderojnë të gjithë kontribuuesit për ndihmën e dhënë në promovimin e monumenteve.
Në Kosovë gara do të pasohet me një editathon, apo maratonë të editimit të artikujve të monumenteve, e cila do të kulmoj më 13 nëntor kur do të ndahen çmime për shkruesit më të zellshëm për këtë kategori.