Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka shpall pozitën për përzgjedhjen e kryesuesit të këtij Këshilli, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kërkoi nga zyra ligjore që ta përgatitë vendimin.
“Shpallja e pozitës për përzgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ajo çka është e rëndësishme si procedurë, zyra ligjore përgatit vendimin në të cilën do të publikohet menjëherë pas miratimit të Këshillit Gjyqësor dhe i njëjti do të jetë publik dhe do të shpërndahet tek anëtarët e Këshillit dhe procedurën e aplikimit për kryesues të Këshillit Gjyqësorë”, tha Zogaj.
Këshilli Gjyqësorë i Kosovës e mori këtë vendim në bazë të nenit 108 paragrafi 7 të Kushtetues së Kosovës, Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe rregullores për organizimin dhe veprimtarin e këshillit gjyqësor të Kosovës.
Po ashtu, KGJK-ja në mbledhjen e së premten ka diskutuar dhe miratuar draft-marrëveshjes së bashkëpunimit mes KGJK-së, Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Për këtë Drejtori i Departamentit Ligjor, Astrit Hoti, prezantoi këtë draft-marrëveshje, duke thënë se kjo ka të bëjë me shkëmbimin e të dhënave mes KGJK-së dhe SHKK-së.
“Draft-memorandumi në kuptimin që kanë propozuar Shërbimi Korrektues i Kosovës në fokus janë dy çështje me rëndësi ku tema e parë është shkëmbimi i të dhënave mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Shërbimit Korrektues. Të dhënat bazë të cilat janë të obliguar institucionet me i nda ndërmjet veti. Dhe tema e dytë, çështja e koordinimit për realizimin e videos së seancave online do të thotë kur të burgosurit me i mbajt seancat online nga burgjet”, tha Hoti.
Ndërsa, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se kjo kërkesë ka ardhur pas instalimit të audiove dhe videove në Gjykata.
“Kjo ka ardhur pas instalimit të pajisjeve audio dhe video të institucioneve në Gjykata dhe në institucione të Shërbimit Korrektues duke mundësuar këtë mënyrë qasje më efektive gjatë mbajtjes se seancës përmes platformës online duke mundësuar qasjen direkt prej seancës gjyqësore që është një sukses dhe mundësi e jashtëzakonshme”, theksoi Zogaj.
Po ashtu në këtë mbledhje, KGJK-ja, ka miratuar edhe propozimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, që Rrustem Thaçi, të emërohet kryesues i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.