Shpend Maxhuni takohet me Selami Altinok, drejtor i Policisë së Turqisë

Prishtinë | 24 Gus 2017 | 14:22 | Nga

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga stafi i lartë i tij, sot ka pritur në një takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të policisë së Turqisë Selami Altinok, po ashtu i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë Kivicilim Kiliç.

Në takimin i cili, u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Shpend Maxhuni e ka njoftuar Altinok dhe të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, të bazuara në planin zhvillimor strategjik të Policisë, njofton Policia e Kosovës.

Maxhuni ka thwnw se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ndërsa drejtori i Turqisë Selami Altinok, derisa ka falënderuar Maxhunin për pritjen, e ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet policore turke.

Delegacioni i Turqisë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet  e saj, duke përfshirë edhe trajnimet e nevojshme në fusha të ndryshme për personelin policor.

Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen,  me qëllim të avancimit të mëtejmë të PK-së, duke përfshirë edhe përkrahjen për inkuadrimin në Interpol dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë policorë.

Të ngjashme