Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në muajin prill në Poloni, në një vlerë të përgjithshme prej 42 mijë euro.
Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, ministri Shala, i ndau shpërblimin prej 20 mijë euro xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila fitoi medaljen e artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg. XhudistesNora Gjakova i takoi shpërblimi në vlere prej tetë mijë euro, për fitoren e medaljes së bronztë në kategorinë deri në 57 kg. Ndërkaq, trajneri Driton Kuka, mori shpërblimin dhjetë mijë euro, si trajner i Majlinda Kelmendit dhe katër mijë euro si trajner i xhudistes Gjakova.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se shpërblimet që ndan MKRS-ja për sportistët që arrijnë rezultate përpos që janë një lloj mirënjohje për ta, bëhen me motivacionin e nxitjes së të rinjve të merren edhe më shumë me sport dhe të korrin rezultate sa më të mëdha, njëherësh duke na përfaqësuar dhe ngritur emrin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.