Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në manifestimin e 30-vjetorit të Grevës së Minatorëve, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se Trepça është burim jete të cilën e çmon çdo njeri në trojet tona. Ai thotë se Trepça është burim shumë i rëndësishëm dhe çdo sektorë i jetës lidhet me të.
“Nuk është e rastësishme sot pse jemi bashkuar, që ardhja sot në Stantërg ka më shumë kuptime se sa një akt që ka bë kthesën, greva e minatorëve. Ne kemi ardhur që atëherë e kemi ditë çka duam, e kanë ditë qytetarët, minatorë, poashtu e dimë edhe sot. Trepça është një burim jete për të gjithë, që e çmojmë kudo që jemi në trojet tona. Trepça si burim jete është shumë i rëndësishëm sepse lidhet me shumë sektorë. Nuk ka sektorë tjetër i jetës që nuk lidhet me Trepçën”, tha Haradinaj.
Ai tha se është “marre” 20 vjet pas luftës që Trepça është lënë në gjendje shumë të keqe
“Duhet me na ardhë marre e me u skuq si e kemi lanë Trepçën 20 vjet në këtë gjendje. Fakti që e kemi votu statutin e Trepçës na ngushëllon, por nuk mjafton duhet të regjistrohet si kompani, janë aksionarët që duhet të marrin përgjegjësi, pjesa e Trepçës në jug duhet dorëzuar materialet e nevojshme për regjistrim, letërnjoftimin e secilit minator, Trepça veri duhet ta përgatisin çdo materie të nevojshme në mënyrë që çdo aksionarë të regjistrohet. Mënyra më e mirë me nderu punën e luanëve të nëntokës është ta rikthejmë Trepçën në burim jete. Kemi pasë vështirësi dhe do të kemi, por duhet të punojmë me secilin. Minatorëve urime statuti i Trepçës”, tha Haradinaj.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se 30 vjet pas grevës së minatorëve duhet të vihemi në mbrojtje të territorit, integritetet dhe sovranitetit të vendit.
“Jemi mbledh këtu në kujtim të grevës së minatorëve ku 30 vjet më parë e tronditi Jugosllavinë. E mbajmë mend gjithë ku në ato ditë greve urie udhëheqësi slloven i pati mbështet minatorët e Trepçës dhe kjo mbështetje ishte e fuqishme, ishte mbështetje e atyre që e kundërshtonin shndërrimin e Jugosllavisë në Serbi të madhe. Minatorët kërkonin dorëheqjen e udhëheqjes politike të atëhershme të Kosovës”.
“…30 vjet më vonë duhet të vihemi në mbrojtje të Kosovë, të integritetit territorial e sovranitetit të saj. Sot çmimet e metaleve janë të lartë dhe mineralet e minierat Trepça janë të leverdishme, më shumë se 4 fish është rrit çmimi i plumbit,ka kalu mbi 2 mijë euro për tonë. Trepça është shansi për zhvillimin tonë përpara, nuk ka nevojë për privatizim, por ka nevojë për investim, zhvillim e përparim”, tha Kurti.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se është turp që 20 vjet pas luftës, Trepca është lënë në gjendje të tillë.
“20 vjet pas lufte është turp për ne me u skuq, por edhe më shumë, 20 vjet pas lufte Trepça ende nuk është në nivelin e duhur kush i ka fajet sot nëse dje nuk na la okupatori por sot kush na pengon”, tha Jashari, raporton EO.
Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahir,i tha se puna dhe angazhimi i menaxhmentit do të jenë primare për jetësimin dhe zhvillimin e Ndërmarrjes Trepça.
“Kosova posedon resurse natyrë që janë faktor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik. Apeloj që sakrifica e bërë në të kaluarën të na shërbej për unifikim dhe bashkëpunim në arritjen e objektivave zhvillimore Trepça”, tha Tahiri.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha qytetarët i kanë borxh minatorëve sa të jenë gjallë.
“Kemi njerëz që nuk na bëjnë nder as Kosovës as qytetarëve të saj e më së paku juve që ju kemi borxh sa të jemi gjallë. Ju në atë kohë të tmerrshme të presionit ditët me i thënë Serbisë stop, ditët të bashkoheni dhe t’i jepni besën njëri-tjetrit që o sot o kurrë për ketë vend dhe t’i thoni botës që ne jemi liridashës e duam vendin me zemër dhe do luftojmë duke sakrifikuar jetën në zgafellen që ka qenë në atë kohë që u kthyen sytë nga ju nga miniera e juaj. Statuti i Trepçës njëherë e përgjithmonë të kthehet në duart e minatorëve”, tha Bahtiri.
Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha se ky përvjetor nuk është vetëm kujtim, por ka vlera historike për popullin.
“Përvjetori jubilar i grevës nuk është vetëm kujtim, por ka vlera historike për popullin sepse para 30 vjetëve i rezistuam okupatorit serb”, tha Sadiku.