Nuk ka braktisje më të madhe të konceptit të Vetëvendosjes, se sa ta partikularizosh këtë të drejtë universale të popujve, kur deklaron në mes rreshtave, se Katalonisë nuk i takon kjo e drejtë, sepse Madridi na qenka kryeqytet demokratik, apo se ai rajon është më i pasuri në Spanjë, prandaj duhet që palet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet tyre me dialog, siç paska deklaruar Kryeministri Kurti në gazetën spanjolle “El Pais”. Kurse neve na takonte kjo e drejtë se ishim me të shtypurit, me të varfrit në ish-Jugosllavi etj etj.
E drejta e një populli për ta pasur shtetin e tij nuk ka të bëjë me pasurinë dhe të ardhurat e tij. Ajo ka të bëjë me vullnetin kolektiv të një shoqërie. Dhe Serbia pikërisht për ta shkatërruar këtë vullnet tonin i bëri ato që i bëri.
Afirmimi i kësaj të drejte i takon çdo populli. Dhe nuk lidhet me rrethanat e jashtme kontingjente. Ashtu sikur se; Londra ia njeh të drejtën e referendumit Skocisë, Kanadaja rajonit të Kebek-ut, por tjetër gjë është fakti, që këto rajone nuk dëshirojnë me anë të vullnetit të tyre demokratik kolektiv të shkëputen nga shteti qendror. Kurse Spanja ia mohon pikërisht këtë drejtë katalonasëve. Natyrisht, jo në atë mënyrë sikur Ruisa Çeçenisë apo Serbia Kosovës.
Kryeministri për arsyeje shtetërore mund të edhe të bëjë kësi driblime diplomatike, por jo pa u sqaruar fakti se në këtë mënyrë po e varros përfundimit konceptin e tij kryesor politik. Dhe se në mes rreshtave ai vetëm sot po e pranon argumentin kryesor të të dërguarit të posaçëm të OKB për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, kur kishte pohuar se rasti i Kosovës është sui generis, nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër që ka konflikte ndëretnike, dhe se po ashtu duke marrë parasysh të kaluarën e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, këtyre të fundit iu takonte shteti, sepse kthim pas në histori nuk mund të kishte.
Mirëpo, ishin këto argumente dikur Kurti i kundërshtonte me gjithë forcë me pretendimin se e mohonin të drejtën për vetëvendosje për popullin e Kosovës duke e parcializuar në çështje teknike të negociatave.
Me këto veprime na del se kauza fisnike e vetëvendosjes, e cila duhet mbrojtur për çdo popull dhe në çdo rast, nuk paska qenë asgjë tjetër pos një mjet oportunist drejt pushtetit dhe manipulim me ndjenjat kolektive të një shoqërie.