Komuna e Ferizajt ka dështuar për të marrë hapa konkretë për modernizimin e hekurudhës, e cila kalon përmes qendrës së qytetit, megjithëse kjo qeverisje në fillim të këtij viti kishte nisur një iniciativë vetëm sa për të bërë promovime nëpër media, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo një projekt i tillë nuk është realizuar deri tashti. Nga ana tjetër shpeshherë treni shkakton aksidente, ndërkohë që të shtunën, ka goditur një veturë në fshatin Nikadin derisa ajo po kalonte hekurudhën pa trarët mbrojtës. Mirëpo fatmirësisht në këtë rast nuk ka pasur persona të lënduar.
Ndërkaq, vitin e kaluar treni pati goditur një këmbësor 41- vjeçar duke e lënë të vdekur në qendër të qytetit, pastaj raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, mirëpo qeverisja lokale deri tashti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për investime në modernizim të hekurudhave në mënyrë që aksidentet të parandalohen.
Qytetarët kanë thënë se Komuna së bashku me Qeverinë e Kosovës duhet të angazhohen me urgjencë për ta nisur një projekt, i cili parandalon aksidentet në komunikacion, pastaj edhe për bashkimin e qytetit ashtu siç ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore.