Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, u ka dhuruar sot 260 sete librash në vlerë prej 50 eurosh, nxënësve fitues të garës Nacional në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale në Dituri në Komunën e Gjilanit dhe të Mamushës.
Me rastin e shpërndarjes së librave në Gjilan, Hoti i uroi nxënësit për suksesin e treguar në gara dhe foli për rëndësinë që kanë këto gara për nxënësit.
Ai po ashtu tha se Komuna e Gjilanit ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në organizimin e garave për çka sipas tij nuk ka munguar suksesi.
“Gjilani ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Programit Nacional për Rininë dhe një ndër komunat me përfshirjen më të madhe në gara. 2178 fitues janë shifër e madhe andaj sot kam nderin të jem në mesin e nxënësve më të suksesshëm në komunën tuaj dhe t’ju uroj juve suksese në gara dhe më tutje. Libri është dhurata më e mirë dhe më e çmueshme që mund të marrim, sepse bashkë me të marrim dije. Uroj edhe drejtorin e DKA-së për çmimin e marrë në nivel vendi. Ky është suksesi i juaj dhe i komunës suaj. Në nivel vendi kemi gjithsej 44723 fitues nga një proces garues i të gjitha shkollave. E gjithë kjo punë me rezultate të jashtëzakonshme nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e DKA-ve, mësimdhënëse e prindërve të cilët kanë bërë punë vullnetare”, tha Hoti.
Ndërsa, Drejtori Komunal i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, falënderoi Hotin për shpërblimet dhe i uroi nxënësit për sukseset. “Uroj të gjithë stafin e shkollave, drejtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit për sukseset e arritura në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garat e Diturisë për komunën tonë. Urime të veçanta Koordinatorit Hoti për këto gara të cilat për nga organizimi janë garat më të mëdha që janë organizuar ndonjëherë në vendin tonë”, tha Gagica.
Ceremonia e shpërndarjes së librave u zhvillua edhe në Mamushë ku i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Abdulhadi Krasniq.
“Koordinatori Hoti ka mbajtur premtimet dhe ne sot po ndajmë shpërblimet. Nuk është interesant vetëm t’i marrim ato, është e rëndësishme t’i lexojmë. Ne e kemi përkrahur këtë projekt dhe ju duhet ta përkrahni sepse nuk është projekt i shoqatave por i qeverisë dhe shumë serioz”, tha Kryetari Krasniq.
Përveç kryetari të komunës, në ceremoninë e shpërndarjes së librave të pranishëm ishin edhe zyrtarë institucionalë, mësimdhënës, nxënës, e prindër.