Në kuadër të Samitit të Paqes dhe Demokracisë, është mbajtur Paneli V – “E vërteta kundër dezinformimit: Luftimi i ndikimit malinj të huaj në Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online.
Në këtë panel u diskutua për shpërndarjen e dezinformimit dhe lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor. Përderisa pjesëmarrës nga Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut e Serbia ndanë përvojat dhe qëndrimet tyre mbi këto çështje.
Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur për Medie (KPM), tha se ndonëse një hulumtim tregon se diku 64% është besimi i qytetarëve ndaj mediave, shpërndarja e dezinformimit ka kosto të lartë në mënyrën se si qytetarët ndërtojnë mendimet e tyre dhe në atë se cilat janë vendimet e tyre.
Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore për të marrë masa në raport me mediumet të cilat veprojnë ekzkluzivisht online duke shtuar se duhet zhvilluar një platformë ku qytetarët të mund të tregojnë kur u shërbehen lajme të rreme.
“Jam shumë i lumtur të jem këtu dhe të flas për këtë çështje shumë të rëndësishme. Në këtë sistem informacioni, po flasim për disa gjëra, si prodhohet informacioni, si shpërndahet, cilat janë sfidat, si konsumohet dhe me më së shumti rëndësi si përdoret ky informacion. Këto janë kyçe sa i përket informacioni që marrim. Informacioni sot arrihet shumë më shpejtë se më parë. Në akademinë e sotme kemi prodhues të përmbajtjes që janë profesionistë dhe joprofesionistë. Hulumtimet tregojnë se besimi në medie në Kosovë tregon se është 64%, gjë që është mirë, në shtetet e tjera tregohet një përqindje shumë më e vogël”.
“Kur flasim për informacionin e prodhuar për të keqinformuar, shpërndarja e këtij dezinformimi është shumë e dëmshme. Për më tepër po shkakton një konfuzion dhe manipulim të madh në atë se si njerëzit mendojnë dhe se si i krijojnë opinionet e tyre. Ne merremi me mediat në televizion, radio e të tjera, por nuk është në dorën tonë që të merremi edhe me atë që mediat online bëjnë. Në Kosovë duhet të veprojmë më shpejt në aspektin e sfidave që e prekin sektorin e mediave. Duhet zhvilluar një platformë ku qytetarët të munden të raportojnë për dezinformatat e lajmet false të shpërndara. Edukimi medial është diçka në të cilën duhet fokusuar, që njerëzit të mund të identifikojnë lajmet e sakta nga dezinformatat”.
Ana Marija Ivkoviq, redaktore përgjegjëse në “Alternativna”, foli për perspektivën e saj mbi punën që bëjnë mediumet në Serbi, mediat shqiptare e ato serbe në Kosovë.
Ivkoviq pranoi se mediet e afërta me pushtetin në Serbi, ndër to ato publiket janë pjesë e shpërndarjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme.
Ajo shtoi se këtë e bëjnë edhe ato shqiptare në Kosovë dhe këtë ekskluzivisht drejtuar qytetarëve të komunitetit serb. Sipas saj, mediumet dhe gazetarët serbë në veri janë shumë korrektë dhe se nuk kanë asnjë mbështetje institucionale.
“Çka është e qartë është se mediat publike serbe dhe ato që janë të afërta me qeverinë po shpërndajnë lajme të rreme. Në anën tjetër nëse shikon lajmet në mediat shqiptare në Kosovë sheh lajme të shumta të rreme, dhe në shumicën e rasteve targeti është komuniteti serb në Kosovë. Dhe më e keqja është që publikohen nga media shumë të lexuara. Kanë publikuar emra, mbiemra e madje edhe nofka të individëve serbë, të njëjtin e fshijnë lajmin, por që vazhdon si lajm të shpërndahet nga media të tjera. Një lajm bëhet me titullin se po vijnë ose janë disa qytetarë serbë pjesë e xhandarmërisë serbe, me të njëjtën bazë se njëri nga ta kishte një xhup me simbol etnik. Kur vije fjala te veriu i Kosovës, tek mediat e komunitetit serb në Kosovë, ato janë tejet të vëmendshme në atë se çka raportojnë. Janë diku tre apo katër gazetarë të cilët bëjnë më të mirën e mundshme që të raportojnë saktë dhe mos të bëjnë të lartpërmendurat ndonëse nuk kanë mbështetje institucionale aspak. Besoj se kemi të bëjmë me çështje etike, të joprofesionalizmit kur flasim për këtë temë.
Kur pyetet nga moderatori Fitim Gashi, se cilët janë emrat e mediave që kanë raportuar për qytetarë civilë serbë të Kosovës se kinse janë pjesë e xhandarmërisë serbe, ajo nuk pranoi të japë emra.
“Nuk jam këtu për t’i shpalosur me emra, por e përmenda se janë media shumë te lexuara”.
Ajo shtoi se është shumë e lehtë të shkruajnë me retorikë të tillë për serbët e Kosovës, duke thënë se nuk duhen e nuk mund të targetohen të gjithë serbët e Kosovës si terroristë vetëm pse mund të jenë kundër një Qeverie.
“Nuk po them se është iniciativë e koordinuar, por nganjëherë duket se është e lehtë të shkruajnë për serbët e Kosovës, sepse edhe prej përfaqësuesve të institucioneve përdoret kjo retorikë. Nuk mund të targetosh të gjithë serbët e Kosovës, ose të gjithë që kanë diçka për të thënë kundër qeverisë si terroristë ose pjesë e milicisë serbe”, u shpreh Ana Marija Ivkoviq.
Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i “Metamorphosis Foundation”, tha se këto çështje kanë të bëjnë më shumë me sigurinë kombëtare sesa veçmas me profesionalizmin e medieve si të tilla.
Ai gjithashtu përmendi atë që e quajti tendencë të keqe për të radikalizuar grupacione. Jashari foli edhe për financimin si pjesë për të cilën u ankua se nuk flitet pothuajse kurrë.
Shqetësues, drejtor ekzekutiv i “Metamorphosis Foundation”, e sheh atë që ai e quan mosbesim të askujt ndaj asgjëje, pra humbjen e besimit jo vetëm në medie e në Qeveri nga ana e qytetarëve, por humbjen e besimit në tërësi, ndaj gjithçkaje dhe çdokujt.
“Nuk është çështje e profesionalitetit të mediave, ose e etikës së shteteve raportimi i tillë, ka të bëjë me sigurinë nacionale, kombëtare. Kur flasim për këtë nuk po flasim për diçka si raportim medial, por për çështje të sigurisë. Ka qenë dhe mbetet e rëndësishme të flasim për saktësinë mediale kemi të bëjmë me çështje sigurie jo vetëm mediale”.
“Mund të shihni se është kjo tendencë e keqe për të radikalizuar grupacione. Në të gjithë regjionin kemi pasur sulme kibernetike, në Maqedoni poashtu në qendra tregtare përshembull sulme kanë shkaktuar kaos, ose në Shqipëri vitin e kaluar disa. Këta janë vetëm disa shembuj. Një indikator tjetër është ai financiar, për të cilin flitet më së paku. Ne si partnerë me ambasadën holandeze në Shkup po bëjmë përpjekje çdo ditë në këtë aspekt. Problemi kryesor për mua nuk është se qytetarët nuk po u besojnë mediave dhe qeverisë por se askush s’do i besojë askujt më. Njerëzit po dyshojnë në çdo gjë. Dhe kur askush nuk i beson askujt është e rëndë. Ne duhet të punojmë më shumë”, u shpreh Jashari, raporton Ekonomia Online.
Ndërkohë Darko Brkan, President i “Zašto Ne”, u kyç në panel në mënyrë online nga Bosnja dhe Hercegovina, ku edhe u shpreh se situatën në këtë shtet e sheh të rënduar dhe se ndonëse si akter bëjnë punën e tyre.
“Pak a shumë mendoj se Bosnja është vendi që më së shumti ka çka përmendët ju në aspektin për të cilët folët deri më tani. Ka shumë faktorë që ndikojnë në mesazhet dhe lajmet që po shpërndahen. Çdo akter është faktor në arritjen deri te dezinformimi. Ne kemi verifikuar fakte për vite në më shumë se dy apo tri asete mediale. Situata është siç është për shkak të mosimplementimit të politikave kundër dezinformimit”, u shpreh Brkan.