Shpërthejnë trazirat në Afrikën Jugore, së paku 30 viktima

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Së paku 30 persona kanë vdekur nga dhuna që ka shpërthyer në disa pjesë të Afrikës Jugore që nga dita kur ish-presidenti Jacob Zuma u dorëzua në polici javën e kaluar.

Pothuajse 800 persona janë arrestuar gjatë trazirave që filluan si protesta pas burgosjes së Zumas të enjten e kaluar, shkruan BBC.

Megjithatë, protestat u shndërruan në tubime të dhunshme gjatë fundjavës, me ndezje të zjarreve, bllokim të rrugëve e plaçkitje të dyqaneve. Autoritetet e kanë angazhuar ushtrinë për t’i dalë në ndihmë policisë.

Ministri i Policisë, Bheki Celem tha se nëse plaçkitja e dyqaneve vazhdon, ka rrezik që zonat mund të mbeten pa ushqim. Sidoqoftë, ministri i Mbrojtjes tha se ende nuk ka nevojë që të shpallet gjendja emergjente shkaku i dhunës në dy provinca.

Zyrtarët kanë akuzuar disa grupe për shfrytëzimin e zemërimit rreth burgosjes së Zumas për të kryer akte kriminale, ndërsa të tjerët kanë thënë se pakënaqësia nga papunësia dhe varfëria janë duke e nxitur kaosin.

Ka shqetësime se trazirat po nxiten edhe nga lajmet e rreme në internet.

Zuma u dënua për mosrespektim të gjykatës muajin e kaluar, pasi nuk ishte paraqitur në seancën për korrupsion gjatë presidencës së tij.

Ai u dënua me 15 muaj burgim. Zuma u dorëzua vetë në polici të mërkurën në mbrëmje.

Të ngjashme