Shpërthimi i djeshëm në Ujman, Ibishi: Tendencë e Serbisë për të destabilizuar vendin, liqeni është i sigurt për qytetarët

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 15:19 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë për Ekonomia Online se shpërthimi që ndodhi gjatë ditës së djeshme në liqenin e Ujmanit është bërë me tendencë nga Serbia për të destabilizuar vendin dhe për të krijuar pasiguri në atë pjesë të Kosovës.

Ibishi ka thënë se Serbia ka shfrytëzuar kohën e nxehtë kur ka më shumë qytetarë që kanë vizituar këtë liqen për të pushuar, në mënyrë që të bëjnë “situatën e elektrizuar”.

“Nuk duhet të lidhet menjëherë si rast si kjo, është pritur që do të mund të ndodhin incidente të tilla, dhe mendoj që policia është afër zbulimit kryerjes së kësaj vepre, është mirë që nuk pati viktima pati vetëm dëme materiale. Por tendencat e Serbisë që me çdo kusht të provojnë situatën, të bëjnë të paqetë në Veri është njëra prej rasteve që ndodhi në një moment kur njerëzit në këto kohëra të nxehta të shfrytëzojnë liqenin e Ujmanit, qoftë për tu larë, peshkuar, mendoj që kjo tregon që akoma ka ekstremizëm që me çdo kusht duan të bëjnë një situatë të elektrizuar, më me potencial të prishjes së rendit dhe qetësisë, por edhe të prishjes së sigurisë në Veri”, ka thënë Ibishi.

Tutje, ai ka thënë se Policia e Kosovës është në drejtimin e duhur afër zbulimit të kryerjes së kësaj vepre, teksa Ujmanin e quan liqenin më të sigurt për qytetarët e Kosovës.

“Por Policia e Kosovës mendoj që do t’ia del me zbulimin e rastit, ka indikacione mund që ky rast që të zgjidhet edhe në këtë mënyrë ekstremistëve të mos iu jetë vend në këtë pjesë. Mendoj që ka siguri dhe nuk ka arsye që ata të dekurajohen për lëvizjen e lirë qoftë me hapjen e urës të Mitrovicës, Mendoj që si me marrëveshjen e Brukselit lidhur me këtë, por këtë duhet të pritur që do të ketë mënyra dhe forma që të ndërhynë në atë pjesë që me destabilizuar vendin dhe me krijuar pasiguri në pjesën e Kosovës. Por parandalimi masat parandaluese nga Policia e Kosovës dhe sidomos zbulimi i tyre mendoj që do të t’i dekurajojë kriminelët që të mos veprojnë më kështu nga se këta vetëm gjejnë forma se si të strehohen nga ekstremistët nga jashtë”, u shpreh Ibishi.

Ndryshe, të dielën Policia e Kosovës njoftoi se ka ndodhur një shpërthim në afërsi të liqenit të Ujmanit, në veri të vendit, e cila nuk pati lëndime të njerëzve, por vetëm dëme materiale në dy makina njëra me targa të Kosovës dhe tjetra me targa amerikane.

Të ngjashme