Të paktën 50 metra të gazsjellësit nënujor, që bart gazin rus në Gjermani, besohet se janë shkatërruar nga një shpërthim i muajit të kaluar.
Një video, e incizuar nga një kompani robotike nga Norvegjia, dhe e publikuar nga e përditshmja suedeze, Expressen, shfaq një dëmtim të madh të gazsjellësit, Rrjedha Veriore 1.
Policia daneze beson se “shpërthimet e fuqishme” kanë krijuar katër vrima në gazsjellës dhe në gazsjellësin tjetër të njëjtë, Rrjedha Veriore 2.
Rrjedha Veriore 2 nuk është funksionalizuar kurrë, për shkak të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ende nuk dihet se kush apo çfarë ka shkaktuar shpërthimet, ndonëse ka dyshime për sabotazh.
Furnizimet me gaz janë pezulluar prej shpërthimeve të 26 shtatorit në gazsjellësin që kalon nëpër Detin Baltik.
Rrjedha Veriore 1 ka një gjatësi prej 1.200 kilometrash dhe shtrihet nga gjiri rreth Shën Petersburgut e deri në verilindje të Gjermanisë.
Kremlini i ka akuzuar hetuesit perëndimorë se po tentojnë të fajësojnë Rusinë për dëmet.
“Logjika elementare” tregon se dëmet në gazsjellës nuk kanë qenë në interesin e Rusisë, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Liderët perëndimorë nuk e kanë akuzuar drejtpërdrejt Rusinë në këtë rast.
Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka akuzuar këtë shtet në të kaluarën se po përdor furnizimet me energji si armë kundër Perëndimit, pas sanksioneve që i janë vënë Moskës për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të këtij viti.
Rusia ka kërkuar që të jetë pjesë e hetimeve, duke thënë se dëmet kanë ndodhur në ujërat ndërkombëtarë, mirëpo Danimarka dhe Suedia kanë refuzuar./REL