Bashkimi Evropian (BE) ka shfaqur sot shpresën se Serbia dhe Maqedonia do të gjejnë zgjidhje paqësore për çështjen kontestuese, pasi Beogradi tërhoqi personelin diplomatik nga Shkupi.
Zyrtarë të Komisionit Evropian thanë për BIRN, se incidenti diplomatik në Shkup është “çështje bilaterale e dy shteteve, të cilat Bashkimi Evropian është duke i përcjellë me kujdes”, transmetojnë mediat serbe.
“Komisioni Evropian i ka thirrur autoritetet e Shkupit dhe Beogradit të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet në lidhje me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
“Presim që të dyja palët të tregojnë përmbajtje dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë paqësore, në frymën e fqinjësisë së mirë”, theksoi Kocijançiq.