Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para tre ditësh ka njoftuar për tubimin e subjektit që drejton në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë të premten e 12 qershorit. Kjo datë shënon 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti për këtë tubim ka thënë se do të respektohet distanca fizike mes njerëzve. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha se subjekti më i madh opozitar ka plan operativ për sistemimin e njerëzve pavarësisht se sa do të jetë numri i tyre.
Prova për protestë e thirrur nga Vetëvendosja më 28 maj në sheshin “Skenderbeu” kishte mbledhur më shumë se 5 mijë persona. Edhe tubimi i radhës që do të mbahet më 12 qershor në ora 17:00 në kuadër të “Javës së Lëvizjes” ka kërkesën e njëjtë të këtij subjekti politik sikur më 28 maj, zgjedhje të reja pas rënies së qeverisë Kurti.
Shqetësimet për rritjen e rasteve me COVID 19, Vetëvendosje premton tubim me distancë sociale të premten
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka tha se sikur me protestën-provë edhe në tubimin e së premtes do të ruhet distanca, dhe do të sistemohen njerëzit pavarësisht numri të pjesëmarrësve.
“Njëjtë qysh ka ndodhë me provë-protestën, në kuptimin e organizimit ka me qenë e njëjta me distancën dhe me rekomandimet edhe në këtë tubim pavarësisht numrit të madh të njerëzve. Pra do të ruhet edhe distanca dhe shpërndarja e njerëzve. Kemi plan se si do t’i sistemojmë njerëzit në tubim”, tha Manxhuka.
Tutje, Manxhuka tha se Vetëvendosje ka leje nga Policia e Kosovës dhe do të jenë në koordinim me institucionet e sigurisë.
“Sikur herën e kaluar që organizuam provën dhe që jo vetëm që patëm leje por ishim në koordinim të plotë me organet e rendit do të jemi edhe kësaj here”, tha ai.
Ndërkaq, Zyra për informim e Policisë së Kosovës ka thënë se janë në trajtim të kërkesës së VV’së lidhur me tubimin që do të mbahet pas dy ditësh.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me tubimin e paralajmëruar se a duhet të organizohet një ngjarje e tillë në situatën e tanishme epidemiologjike kur rastet me Covid-19 janë rritur dhe se nuk dihet se sa do të jetë numri i pjesëmarrësve.
Por të njëjtit kanë kërkuar që pyetjet të referohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme por që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij teksti.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi mbrëmë në një paraqitje televizive për mediat në Shqipëri ka deklaruar se në sheshet e Prishtinës do të ketë më shumë se 15 mijë njerëz.
“Tubimi i 12 qershorit është 15 vjetori i krijimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, sigurisht është zgjedhur edhe si datë edhe për shkak të koincidencës me ditën e çlirimit të Kosovës. Çështja e pandemisë na detyron të jemi të kufizuar në atë që bëjmë, pretendojmë që do të kemi 15 mijë ose më shumë pjesëmarrës në sheshet e Prishtinës, me distancën e siguruar”, ka thënë Zaimi.
Vetëvendosje pas formimit të qeverisë Hoti më 3 qershor, ka nisur peticion nëpër të gjitha komunat e Kosovës me kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas këtij subjekti politik deri më tani peticionin e kanë nënshkruar më shumë se 150 mijë njerëz në tërë Kosovën.